Shtyllat e shoqërisë që duhet të sfidojnë muslimanët

Thirrja e Profetëve ka përbërë kurdoherë një sfidë për shtyllat e shoqërive që ftoheshin në besim. Rezistenca që elitat politike, ekonomike dhe kulturore u kanë bërë Profetëve është dëshmia më e madhe e kësaj të vërtetë. E paraqitur dhe e jetësuar në mënyrën e duhur nge besimtarët, feja e Zotit ka tronditur themelet e shoqërive ku shfaqej mesazhi profetik. Përveç dëshmisë së librave të shenjtë, edhe historia ka regjistruar kundërshtimin armiqësor që kanë hasur prej shoqërive ku janë dërguar tre Profetët e fundit, Musai, Isai dhe Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Elitat e tyre kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë pasojash do të kishte përqafimi prej masave i mesazhit hyjnor. Artikulimi i shqetësimeve prej protagonistëve që u armiqësuan me Profetët tregon efektin që duhet të shkaktojë feja e vërtetë. Nga ana tjetër, mungesa e shqetësimit të elitave për prezencën e thirrjes profetike në mesin e shoqërisë dëshmon për zhveshjen e mesazhit profetik nga thelbi i tij. Vetëm moscënimi i shtyllave mbi të cilat ngrihet një shoqëri e padrejtë garanton bashkëjetesën e patrazuar mes elitave sunduese dhe besimtarëve që nuk e kumtojnë dhe praktikojnë fenë në të gjitha dimensionet e saj.

Faraoni që u përball me Musain tentoi në mënyra të ndryshme që ta ndalte predikimin e tij. Duke qenë se nuk ia arriti qëllimit, ai i kërkoi publikut të gjerë aprovimin për ta vrarë. Vrasja jo vetëm tregonte inferioritetin e Faraonit ndaj Musait, por ajo ishte diçka e paimagjinueshme për faktin se Musai ishte rritur dhe edukuar si një princ në pallatin e Faraonit. Argumenti për ta ligjëruar këtë vrasje duhej të ishte vërtet bindës. Ai duhet të provonte rrezikshmërinë e lartë shoqërore të Musait, përderisa e vetmja mënyrë e largimit të rrezikut kishte mbetur eliminimi fizik i tij. Ky nuk mund të ishte vetëm se cënimi prej mesazhit hyjnor i sigurisë për vërtetësinë e rrugës në të cilën po ecte kombi egjiptian, si dhe vlerave e ligjeve që buronin prej parimeve të saj. Cënimi i ‘fesë’ që Faraoni i kishte imponuar egjiptianëve ishte argumenti për të vrarë Musain: “Faraoni tha: Lërmëni që ta vras Musai dhe le të thërrasë Zotin e tij! Unë kam frikë se do ju ndërrojë fenë tuaj, apo do të shkaktojë korruptim në tokë!” (Ghafir 40, 26).

Në kuptimin e ngushtë, me fjalën arabisht “din” të përkthyer si ‘fé’ në shqip nënkuptohet religjioni dhe ritualet shpirtërore që asociohen zakonisht me të. Por termi “din” ka një kuptim më të gjerë. Ai përfshin mënyrën e jetës që bazohet në bindjen ndaj një autoriteti dhe ligjeve që burojnë prej tij, si dhe sistemin e shpërblimeve dhe ndëshkimeve sipas këtyre ligjeve. Faraoni e kuptoi se përqafimi i mesazhit profetik nga masat do të kulminonte me rënien e sistemit që ai kishte ngritur, prandaj ai i frikësoi ata duke propaganduar ndryshimin rrënjësor që do të ndodhte me mënyrën e tyre të jetesës dhe destabilitetin që do të pasonte.

Në mesin e armiqve të Profetitصلى الله عليه وسلم ,ai që i ka ngjarë me shume dhe ka patur tiparet e Faraonit të Musait ka qenë ‘Amr bin Hisham bin el-Mughira, i quajtur ndryshe Ebu Xhehl. Njësoj si Faraoni që kërkoi leje të vriste Musain dhe me të njëjtën mënyrë arsyetimi, Ebu Xhehli kerkoi aprovimin e kurejshëve për vrasjen e Profetit صلى الله عليه وسلمdhe tentoi ta kryente atë, edhe me koston e një lufte civile mes fisit të Makhzumëve (fisi i Ebu Xhehlit) dhe atij të ‘Abdu Menafit (fisi i Profetitصلى الله عليه وسلم (që do të lindte si pasojë. Jo  pa qëllim, në hadithin e transmetuar nga Imam Ahmedi, Profeti صلى الله عليه وسلمe etiketoi Ebu Xhehlin si faraonin e umetit islam, kur e pa të vrarë pas betejës së Bedrit.

Përpara se Ebu Xhehli të ndërmerrte këtë veprim, një përfaqësi e kurejshëve i kishte kërkuar tri herë Ebu Talibit, xhaxhait të Profetitصلى الله عليه وسلمqë e kishte në mbrojtje atë, ta ndalonte nga thirrja, ose të hiqte dorë nga mbrojtja e tij dhe t’ia dorëzonte gjykimit të parisë mekase. Që në krye të herës, përfaqësia i bëri të qartë Ebu Talibit arsyen që e kishte shtyrë parinë e qytetit të kërkonte dorëzimin e Profetit صلى الله عليه وسلمnga ana e tij. Ai kishte cënuar shtyllat mbi të cilat ishte ngritur shoqëria dhe me thirrjen e tij për në Islam po i ftonte njerezit t’i sfidonin ato. Ai ju kishte “fyer idhujt, diskredituar fenë, zhvlerësuar aspiratat dhe konsideruar të devijuar paraardhësit e tyre” (Ibën Hisham).

Pasi tri takimet e përfaqësisë së kurejshëve me Ebu Talibin nuk dhanë rezultat, Ebu Xhehli e kuptoi se e vetmja mënyrë për ta penguar thirrjen e Profetit صلى الله عليه وسلمishte eliminimi i tij fizik. Por, për kurejshët ishte e padëgjuar që vetë kurejshëve të vrisnin një kurejshit, për sa kohë ai ishte ende anëtar i fisit nga rridhte dhe nën mbrojtjen e tij. Thyerja e këtij ligji shoqëror duhej të përligjej me kryerjen e një krimi që kishte vënë në rrezik ekzistencën e vetë shoqërisë nëpërmjet cënimit të shtyllave mbi të cilat ajo qëndronte. Ibën Kethiri tregon se Ebu Xhehli qëndroi në mesin e kurejshëve dhe u tha: “O popull kurejshit, Muhamedi refuzoi të ndalojë nga diskreditimi i fesë sonë, sharja e baballarëve tanë, zhvlerësimi i aspiratava tona dhe fyerja e idhujve tanë. Prandaj, unë angazhohem përpara Allahut se kam për ta pritur nesër duke mbajtur një gur, që kur ai të përulet në sexhde gjatë faljes t’ia bëj copash kokën me të! Pas kësaj, le të bëjë çfarë të dojë fisi i ‘Abdu Menafit!”

Reagimi armiqësor të kundërshtarëve të Islamit kur preken shtyllat mbi të cilat ngrihet sistemi shoqëror vihet re edhe në rastin e Ebu Lehebit. Në predikimin e parë publik, atë drejtuar pjesëtarëve më të afërt të farefisit, Profeti صلى الله عليه وسلمnuk i preku drejtpërdrejt idhujt dhe fenë e kurejshëve. Ibën Kethiri tregon se në drekën e shtruar me atë rast, Profeti صلى الله عليه وسلمtha: “O pasardhësit e ‘Abd el-Muttalibit, për Allahun, unë nuk njoh ndonjë të ri në mesin e arabëve që t’i ketë sjellë popullit të tij diçka më të mirë se ajo që ju kam sjellë unë. Kam ardhur te ju me të mirën e kësaj jete dhe të jetës tjetër. Allahu më ka urdhëruar që t’ju ftoj për tek Ai, prandaj kush do të më ndihmojë për këtë mision dhe të jetë vëllai im?” Në mbarim të fjalës së tij, Ebu Lehebi u çua dhe u largua pa thënë ndonjë fjalë bashkë me të tjerët. Ndërsa në thirrjen e parë haptazi mbarë qytetit, kur Profeti صلى الله عليه وسلمkërcënoi me dënimin prej Zotit të kujtdo që do të vdiste në idhujtari, duke cënuar kështu fenë idhujtare dhe botëkuptimin sipas saj për jetën pas vdekjes, Ebu Lehebi reagoi i irrituar duke e mallkuar Profetin صلى الله عليه وسلم .Buhariu transmeton se kur Profeti صلى الله عليه وسلمu ngjit me këtë rast në kodrën e Safa-së dhe tha: “Unë jam paralajmërues përpara një dënimi të ashpër”, Ebu Lehebi ju hakërrye me fjalët: “U shkatërrofsh, a për këtë na mblodhe?!”, pas së cilave zbriti surja Mesed.

Marrëdhënia e Profetit صلى الله عليه وسلمme pjesën e shoqërisë mekase që nuk besoi në profecinë e tij nuk ka qenë përherë konfliktuale dhe armiqësore. Ibën Sa’ad thotë se, në tre vitet e para të misionit të tij, “i Dërguari  i Allahut صلى الله عليه وسلمthirri për në Islam fshehtazi dhe hapurazi. Allahut ju përgjigjën të rinjtë dhe të dobëtit, derisa numri i atyre që besuan u rrit. Ndërkohë, kurejshët jobesimtarë nuk ia hidhnin poshtë ato që thonte, por kur kalonte përpara grumbullimeve të tyre e tregonin me gisht duke thënë: “Djalit të fisit të‘Abd el-Muttalibit po i fliskan nga qielli”! Kjo gjendje vazhdoi derisa Allahu kritikoi idhujt që iu nënshtroheshin përveç Tij dhe përmendi dënimin e paraardhësve të tyre që kishin vdekur në idhujtari. Në atë moment, ata u kthyen me armiqësi kundër tij”. Ibën Hishami shkon më tej kur thotë se edhe pas shpalljes publike të thirrjes në Islam në fillim të vitit të katërt të misionit profetik, “populli nuk u distancua prej Profetitصلى الله عليه وسلمdhe nuk iu kundërpërgjigj, derisa ai përmendi idhujt dhe i kritikoi ato. Kur e bëri këtë gjë, e konsideruan të rëndë dhe ia kundërshtuan, iu kundërvunë bashkarisht dhe i treguan armiqësi”.

Gjendja e muslimanëve shqiptarë sot ngjan me gjendjen që Profeti صلى الله عليه وسلمkishte me kurejshët në tre vitet e para te misionit të tij dhe ne ditët a para pas shpalljes publike të thirrjes në Islam. Shoqëria nuk është armiqësore ndaj tyre, nuk ua ndalon shfaqjen e praktikave fetare dhe as thirrjen e njerëzve për në Islam. Sepse muslimanët nuk kanë sfiduar ‘fenë’ e saj – sistemin e vlerave mbi të cilat është ngritur –, ‘idhujt’ prej të cilëve burojnë këto vlera dhe ‘aspiratat’ popullore që mbështeten në këtë ‘fé’ dhe këta ‘idhuj’. Për sa kohë artikulimi i botëkuptimit të Islamit të kryhet brenda kufijve të ngrehinës ideologjike të ‘fesë’ dhe ‘idhujve’ sundues, pa tentuar të argumentojë pavërtetësinë dhe padrejtësinë e shtyllave mbi të cilat është ngritur ajo, kumtimit të mesazhit profetik do t’i mungojë thelbi dhe nuk do të përshfaqet me vërtetësinë e tij.

Shpërndaje