Dënimi nga ana e Profetëve i padrejtësive në shoqëritë që ftonin në besim

Shpallja hyjnore bashkëvepron pashmangshmërisht me realitetin e shoqërive që ftohen në besim nga Profetët dhe ndjekësit e tyre në brezat e mëvonshëm. Përveç trajtimit të besimeve të gabuara dhe mënyrës së nënshtrimit ndaj Zotit, ftesat e Profetëve nuk kanë lënë pa prekur edhe padrejtësitë ekonomike dhe shoqërore të këtyre shoqërive. Është një deformim i madh kuptimor fetar të besohet se dëshmimi i të vërtetës mund të reduktohet te ftesa për besimin në Zot dhe urdhërimin tek e mira, duke mos përfshirë në të dënimin në emër të Zotit të padrejtësive ekonomike dhe sociale të shoqërisë që ftohet për në besim. Urdhërimi për tek e mira shoqërohet pandashmërisht me frenimin e së keqes.

Kryerja e së parës nuk është e mjaftueshme në vetvete për të kompensuar dhe justifikuar mungesën e së dytës. Bashkësia muslimane e meriton epërsinë mbi bashkësitë e tjera, të cilën Zoti ia ka atribuuar në Kuran, vetëm kur besimit tek Ai i bashkëngjiten si urdhërimi për tek e mira, ashtu dhe ndalimi i së keqes: “Jeni bashkësia më e mirë e shfaqur për njerëzit, urdhëroni tek e mira, ndaloni të keqen dhe besoni tek Allahu” (Al ‘Imran 3, 110).

Ideja e të mjaftuarit me veprat e mira dhe të mos ndërhyrit te veprat e këqija të të tjerëve, veçanërisht ato të kryera prej shtresave sunduese të shoqërisë, nuk gjen vend në tekstin kuranor dhe në traditën e Profetëve. Shpresa se e keqja do të largohet vetiu, apo kur keqbërësit të bëhen besimtarë, e prandaj nuk përbën domosdoshmëri frenimi i saj nga ana e muslimanëve, është e pabazuar në tekstet dhe frymën e shpalljeve hyjnore. Vetë shembujt e Profetëve të ndryshëm në Kuran e përgënjeshtrojnë një kuptim të tillë për fenë. Thirrjes së tyre për robërim ndaj Zotit i është bashkëngjitur në mënyrë sistematike identifikimi i padrejtësive sunduese në shoqëri dhe dënimi i tyre.

Kështu, Profetin Muhamed صلى الله عليه وسلمe gjejmë tek denoncon shtypjen që i bëhej shtresave në nevojë në Mekë, jetimëve dhe të varfërve:

“Mos iu afroni pasurisë së jetimit vetëm se në mënyrën më të mirë, derisa të arrijë moshën e maturisë” (El-En’am 6, 152).

“E ke parë atë që përgënjeshtron shpagimin? Është ai që përzë jetimin dhe nuk nxit për të ushqyer të varfërin” (El-Ma’un 107, 1-3).

“Ju nuk e nderoni jetimin dhe nuk nxitni për të ushqyer të varfërin” (El-Fexhr 89, 17-18).

Atë e shohim gjithashtu të dënojë diskriminimin e femrës, i cili shfaqej nëpërmjet varrosjes për së gjalli të vajzave të sapolindura:

“Kur foshnja vajzë të pyetet: cili ishte faji për të cilin u vra?!” (Et-Tekuir 81, 8-9).

Në gjuhën e Profetit Muhamedصلى الله عليه وسلم ,Kurani i zbritur në periudhën Mekase dënon edhe padrejtësitë ekonomike në shoqëri:

“Ai e ngriti qiellin dhe vuri drejtpeshimin, që ju të mos bëni padrejtësi në peshim. Mbajeni peshoren me përpikmëri dhe mos e lini të mangët peshën” (Er-Rahman 55, 7-9).

Sistemi mediatik dhe propagandistik i kohës, i mishëruar nga poetët mohues të besimit, vihet po ashtu në shënjestër të ajeteve mekase:

“Sa i takon poetëve, ata ndiqen prej njerëzve të devijuar. A nuk e di se si poetët enden nëpër lugina, duke thënë atë që nuk e bëjnë?!” (Esh-Shu’ara 26, 224-226).

Ndërsa kundërshtarëve më të spikatur të thirrjes së Profetit Muhamed u janë nxjerrë në pah të metat e karakterit dhe veset e tyre morale:

“Mos iu nënshtro asnjë të neveritshmi që përbetohet me shumicë, që përgojon me shpifje poshtë e përpjetë, që pengon të mirën, është i padrejtë dhe mëkatar, që është i vrazhdë dhe veç kësaj i ulët” (El-Kalem 68, 10-13).

Shembulli i thirrjes së Profetit Muhamed صلى الله عليه وسلمështë i njëjtë me atë të Profetëve të mëparshëm.

Kështu Profeti Shu’aib i drejtohet me këto fjalë popullit të tij:

“O populli im, robërojuni Allahut, nuk keni Hyjni tjetër përveç Tij. Mos e pakësoni masën dhe peshën.

Unë shoh që jeni në gjendje të mirë dhe trembem mos ju zë dënimi i një dite pa rrugëdalje. Populli im, plotësojeni masën dhe peshën me drejtësi, mos ja pakësoni njerëzve atë që u takon dhe mos shkaktoni korruptim në tokë” (Hud 11, 84-85).

Aq të qarta ishin dy përbërësit e ftesës së Profetit Shu’aib, sa mohuesit nga populli i tij i kthejnë një përgjigje ironike duke përmendur refuzimin e të dyja thirrjeve:

“O Shu’aib, a mos namazi yt po të urdhëron që të braktisim atë që adhurojnë baballarët tanë, apo të bëjmë çfarë të duam me pasurinë tonë?! Ti na qenke i matur dhe i udhëzuar!” (Hud 11, 87). Në të njëjtën mënyrë, Profeti Lut e fton popullin e tij për në besim dhe e qorton në të njëjtën kohë për vesin e homoseksualizmit:

“Populli i Lutit i përgënjeshtroi të Dërguarit, teksa vëllai i tyre Luti u tha: A nuk po kini frikë?! Unë jam për ju një i Dërguar besnik, frikësojuni Allahut dhe bindmuni! Mes gjithë njerëzve, ju shkoni me meshkujt dhe lini gratë që Zoti juaj krijoi për ju?! Vërtet ju jeni një popull që i ka tejkaluar kufijtë” (EshShu’ara 26, 160-163; 165-166).

Për sa i përket Profetit Salih, ftesa e tij për në besim u shoqërua me kërkesën e mosndjekjes së atyre që shkaktonin korruptimin e rendit të Zotit në tokë:

“Populli i Themudit i përgënjeshtroi të Dërguarit, teksa vëllai i tyre Salihu u tha: A nuk po kini frikë?! Unë jam për ju një i Dërguar besnik, frikësojuni Allahut dhe bindmuni! Mos ju bindi shpërdoruesve, të cilët shkaktojnë korruptim në tokë dhe nuk përmirësojnë” (Esh-Shu’ara 26, 141-143; 150-152).

Ndërsa shembulli i Profetit Musa është simbol i misionit të çlirimit prej robërimit ndaj njerëzve me të cilin ka ardhur çdo Profet:

“Musai tha: O faraon, s’ka dyshim unë jam i Dërguar prej Zotit të botërave. Nuk më ka hije të them për Allahun vetëm se të vërtetën. Unë ju kam ardhur me argument të qartë prej Zotit tuaj, prandaj lëri të vijnë me mua bijtë e Israilit” (El-A’raf 7, 103-105).

Mungesa e frenimit të së keqes sipas shembullit të Profetëve nga ana e muslimanëve pasohet me rrjedhojat që ka përshkruar Imam Ebu Hamid el-Ghazali në kryeveprën e tij “Ringjallja e Dijeve të Fesë”:

“Nuk ka dyshim që parimi i urdhërimit tek e mira dhe ndalimit të së keqes është shtylla më e madhe e fesë dhe misioni për të cilin janë dërguar Profetët. Sikur dija rreth këtij parimi dhe veprimi sipas tij të lihen pas dore, profecia do të shembet, feja do të zhduket, vakësia do të mbizotërojë, devijimi do të përhapet, injoranca do të bëhet e kudogjendur, korruptimi do të shtohet, dhunimi i të drejtave do të shtrihet, vendet do të rrënohen, njerëzit do të shkatërrohen, por nuk kanë për ta ndjerë shkatërrimin
vetëm se në Ditën e Gjykimit.”

Shpërndaje