Metoda hyjnore e edukimit

Edukimi i karakterit me virtytet më të larta zë një vend shumë të rëndësishëm në Islam, aq sa Profeti ﷺ e përkufizoi kështu misionin e tij në një hadith të transmetuar nga Buhariu: “Nuk ka dyshim se jam dërguar për të përkryer virtytet më fisnike”.

Për arritjen e këtij qëllim, Zoti ka shpalosur në Kuran metodën hyjnore të edukimit, e cila bazohet në tri parime kryesore:

  1. Shpalosjen e dobësive të natyrës njerëzore;
  2. Njohjen e dobësive si të tilla dhe mospërbuzjen e tyre nga ana e Krijuesit;
  3. Nxitjen e muslimanit që t’i tejkalojë dobësitë nëpërmjet besimit dhe veprimit sipas virtytit.

Nëse merret si shembull virtyti i trimërisë, vihet re se Zoti ua njeh si të natyrshme besimtarëve në Kuran pasjen e frikës:

“Allahu u ka premtuar atyre që besojnë prej jush dhe kryejnë vepra të mira se do t’i bëjë, pa dyshim, mëkëmbës në tokë, ashtu siç bëri mëkëmbës ata që kaluan përpara tyre. Ai ka premtuar se do ta ngrejë, pa dyshim, fenë e tyre që Ai e pëlqeu për ta, dhe se frikën do t’ua zëvendësojë më pas me siguri” (En-Nur 24, 55).

Ajeti 26 i sures Enfal përshkruan arsyen e frikës së besimtarëve dhe kohën kur e kanë përjetuar atë: “Përkujtoni kur ishit të pakët dhe të përçmuar në Mekë, tek frikësoheshit mos ju rrëmbenin njerëzit për t’ju vrarë.” Në kohën kur besimtarët janë një pakicë e dobët dhe elita sunduese e shoqërisë ndjen kërcënimin e interesave të saj nga përhapja e besimit, e si rrjedhojë e kësaj fillon persekutimin e besimtarëve, është e natyrshme që ata të ndjejnë frikë.

Edhe në Medine, kur besimtarët ishin të mbrojtur në praktikimin e fesë dhe frika ndaj persekutimeve nuk ekzistonte më, pati një grup që iu frikësua vdekjes kur luftimi me armë u bë i pashmangshëm për ta: “A nuk i vure re ata të cilëve u ishte thënë: “Largojini duart nga armët, falni namazin dhe jepni zekatin”, se si një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve siç i frikësohen Allahut, ose edhe më fort, kur atyre iu bë detyrim luftimi? E se si thanë:

“Zoti ynë, përse na e bëre detyrim luftën? Ah sikur ta kishe shtyrë derisa të vdisnim!” (En-Nisa 4, 77).

Nesai dhe Hakim transmetojnë se ajeti i mësipërm i referohet ‘Abd er-Rahman bin ‘Auf-it dhe disa shokëve të tij në Mekë, të cilët shkuan te Profeti ﷺ që t’i kërkonin leje të luftonin dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ishim të nderuar duke qenë idhujtarë, ndërsa kur besuam u poshtëruam”! Profeti ﷺ u përgjigj: “Unë jam urdhëruar që të fal, prandaj mos i luftoni me armë njerëzit”! Ibën ‘Abbasi, transmetuesi i hadithit, vazhdon tregimin dhe thotë: “Kur Allahu na transferoi në Medine dhe na urdhëroi të luftonim, ata hezituan, prandaj Allahu zbriti ajetin

“A nuk i vure re ata të cilëve u ishte thënë: “Largojini duart nga armët, falni namazin …”. Kurtubiju thotë se fjalët e tyre nuk nënkuptonin kundërshtim ndaj urdhërit të Zotit, por shprehnin frikën me të cilën është gatuar natyra njerëzore, sepse “dashuria për jetën dhe mospëlqimi i luftës janë tipare thelbësore të saj” (Fakhr ed-Din er-Razi). Duke qenë se në këtë ngjarje është i përfshirë ‘Abd er-Rahman bin ‘Auf-i, një prej dhjetë njerëzve të përgëzuar me hyrjen në parajsë, dhe besimtarët që përqafuan të parët Islamin, Bejdauiju është i mendimit se ata nuk i shqiptuan fjalët e përmendura në ajet, por i thanë me vete.

Zoti ua njohu besimtarëve këtë frikë dhe zbriti ajete që i nxisnin të lartësoheshin mbi dobësinë, për të realizuar në këtë mënyrë robërinë e vërtetë ndaj Zotit. “A nuk do të luftoni me një popull që shkelën premtimet, komplotuan për të dëbuar të Dërguarin dhe filluan ata të parët me ju?! A mos po u frikësoheni atyre?! Allahu e meriton më shumë t’I frikësoheni, nëse jeni besimtarë” (Et-Teubeh 9, 13).

Nuk ka në këtë ajet përçmim nga Zoti për frikën që ndjen muslimani prej luftës që afron vdekjen. Ai ia njeh si të natyrshme njeriut këtë frikë, duke i thënë se Zoti, në dorën e të Cilit janë jeta dhe vdekja, dhimbja dhe qetësia, dëmi dhe dobia, e meriton më shumë se sa gjithçka tjetër frikën e besimtarit. Gjithashtu, mbyllja e ajetit me frazën në mënyrën kushtore “nëse jeni besimtarë” lë të kuptohet se pasja frikë e dënimit të Zotit më shumë se sa njerëzit është pasojë e besimit të vërtetë në zemër.

Vetëm atëherë frika më e madhe do të mposhtë frikën më të vogël dhe besimtarët do të karakterizohen me trimëri. Prej nga rrjedh se trimëria nuk është e barazvlefshme me mospasjen e frikës prej luftës dhe njerëzve, por me mbivendosjen dhe mbizotërimin e frikës prej dënimit të Zotit ndaj frikës prej njerëzve. Për më tepër, premtimi hyjnor në ajetin 55 të sures Nur të përmendur më lart parashikon zëvendësimin e frikës me siguri – jo me trimëri – pasi largimi i plotë i frikës nuk është në natyrën njerëzore dhe se vetëm largimi i elementëve që shkaktojnë pasiguri e largon frikën nga zemra e besimtarit.

Një trajtim të ngjashëm me frikën i bën Zoti në Kuran edhe emocionit të zemërimit. Ajetet 133 dhe 134 të sures Ali ‘Imran i përshkruajnë kështu besimtarët me virtyte të spikatura të karakterit: “Nxitoni për te falja e Zotit tuaj dhe te një kopsht, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, i cili është përgatitur për të vetëdijshmit për Zotin, të cilët shpenzojnë si kur kanë mirëqenie, edhe në vështirësi, që e përmbajnë zemërimin dhe i falin njerëzit. E Allahu i do të përkryerit”.

Në këtë ajet, Zoti nuk ka cilësuar si të përkryer ata që nuk zemërohen kur të tjerët i lëndojnë pa të drejtë, por besimtarët që natyrshëm zemërohen dhe që e përmbajnë zemërimin duke i falur njerëzit, ndërkohë që kanë të drejtën dhe mundësinë të marrin shpagim. Premtimi për këtë kategori besimtarësh është kopshti i parajsës, dëshirimi për të cilin e zbeh dhe e tejkalon dëshirën e hakmarrjes ndaj vogëlsive të të tjerëve.

Prandaj, Zoti nuk kërkon nga besimtarët luftimin e emocioneve të tyre, si frika apo zemërimi, por disiplinimin dhe zotërimin e tyre. Të përmendura nga Zoti si gjendje dobësie të njeriut, këto emocione mund të keqkuptoheshin si thelbësisht të dëmshme për rrugëtimin shpirtëror të njeriut. Për këtë arsye, në ajetet e mësipërme është theksuar se besimtar me virtyte të larta nuk është besimtari pa dobësi, por ai që i tejkalon dhe i kontrollon këto emocione përmes besimit për të përmbushur urdhëresat hyjnore.

Besimtari nuk duhet të bjerë pre e perfeksionizmit dhe të përpiqet të asgjësojë emocionet dhe instiktet nga vetja, pasi ajo janë krijuar nga Zoti dhe janë vendosur në qenien njerëzore për të përmbushur urtësi dhe qëllime të caktuara. Ndjenja e frikës aktivizon brenda njeriut aftësinë për të kuptuar dhe shmangur rreziqet që kërcënojnë shëndetin dhe jetën e tij, ndërsa zemërimi shërben si mekanizëm për t’u vënë në lëvizje për të ndrequr shkeljen e ligjeve të Zotit dhe padrejtësitë ndaj njerëzve.

Njëkohësisht, njeriu nuk duhet ta nënçmojë veten nëse e kaplon frika apo zemërimi, as të shmangë përballjen me këto dy instikte, sepse Zoti ia ka bërë të njohura dhe i ka pranuar si përmasa të natyrshme të shpirtit njerëzor. I pajisur me këtë dije për natyrën e tij emocionale dhe vlerësimin që Zoti ka për të, besimtari ec i lehtësuar dhe i sigurtë në rrugëtimin e përkryerjes së karakterit.

Premtimi se ngadhënjimi është i mundshëm kur frika nga dënimi i Zotit e tejkalon frikën nga njerëzit, e ndihmon besimtarin të kuptojë se përmbushja e urdhëresave hyjnore prej tij, qofshin ato më të vështirat, nuk kërkon ndonjë ndryshim dramatik në karakterin e tij. Njeriu i zakonshëm është në gjendje t’i realizojë me sukses këto urdhëresa thjesht duke korrigjuar në vetëdijen e tij rolin që duhet të luajnë emocionet në gjykim dhe veprim. Kështu, metoda hyjnore e edukimit e ndihmon njeriun të njohë dhe ta pranojë natyrën e tij siç është krijuar dhe ta kultivojë atë gjatë udhëtimit të tij shpirtëror.

Shpërndaje