E vërteta dhe pavërtetësia

Thuaj: “E vërteta erdhi, dhe u zhduk e pavërteta. Vërtet, pavërtetësia është e prirë për të qenë e zhdukur”. (El-Isra 17, 81).

“Ky është ndoshta ajeti më i mirënjohur në mesin e ajeteve kuranore që përcaktojnë pamundësinë totale të krahasueshmërisë mes së vërtetës dhe së pavërtetës, për faktin që e vërteta është në mënyrë të qenësishme dhe të përhershme fitimtare mbi pavërtetësinë, e cila është në fund të fundit një asgjë, e për këtë arsye ‘zhduket’ përballë së vërtetës. Transmetohet se Profeti e ka lexuar në mënyrë të vazhdueshme këtë ajet ndërsa thyente idhujt rreth Qabes pas ngadhënjimit mbi Mekë. Në këtë kontekst, ‘e vërteta’ e përmendur në ajet i referohet fesë Islame në përgjithësi, përballë së cilës idhujtaria dhe fetë e pavërteta u shuan” (Seyyed H. Nasr).

Nga një këndvështrim metafizik, “e vërteta i referohet ekzistencës së pashmangshme që i takon Zotit, ndërsa pavërtetësia i referohet ekzistencës njerëzore që i nënshtrohet ndryshimit, shuarjes dhe zhdukjes. Pavërtetësia, pra ekzistenca e ndërvarur dhe e ndryshueshme, është e prirë për të qenë e zhdukur që në nisje, sepse duke mos qenë e qëndrueshme ajo i nënshtrohet asgjësimit dhe zhdukjes” (‘Abd er-Razzak el-Kashani).

Në ajetin Kursij të sures Bekare, Allahu e cilëson Veten e Tij si “El-Kajjum” – Mbajtësi dhe Mbështetësi i gjithçkaje të krijuar. “Ai ekziston pashmangshmërisht (uaxhib el-uxhud) për shkak të Qenies së Tij dhe gjithçka tjetër, përveç Tij, ekziston sepse Ai e ka sjellë në ekzistencë. Ai që ekziston në mënyrë të pashmangshme, për shkak dhe nëpërmjet Qenies së Tij, është i Vetëmjaftueshëm në ekzistencën e Tij dhe nuk ka nevojë për askënd jashtë Vetes së Tij. Ndërsa çdo gjë tjetër, përveç Tij, ka nevojë për sjelljen në ekzistencë nëpërmjet Atij që ekziston pashmangshmërisht.

Prandaj, Ai që ekziston pashmangshmërisht ekziston nëpërmjet Qenies së Tij dhe është shkak për ekzistencën e çdo gjëje përveç Tij. Ai është Mbajtësi i Përjetshëm, i Cili ka jetë nëpërmjet Qenies së Tij, dhe që i jep ekzistencë çdo gjëje përveç Tij” (Fakhr ed-Din er-Razi).

Nisur nga kuptimet e mësipërme kuranore, mund të thuhet se realitetet që jetojmë çdo ditë, të mira ose të këqija qofshin ato – sipas përkufizimit subjektiv, personal të bazuar në termat gjuhësorë normalë të përditshmërisë – janë ndërkohë në zhdukje apo në proces zhdukjeje, janë duke ndodhur dhe duke u shpërbërë njëkohësisht, kanë ndodhur dhe përfunduar. Ato nuk ekzistojnë ndërkohë që i jetojmë, gjë që të mbush me shpresë për çdo realitet te keq që na vjen përballë, sepse ai do të zhduket. Sido dhe çfarëdo që të ndodhë, Vërteta e vetme per t’iu frikësuar është vetëm Ai.

Mosekzistenca në të vërtetë, e çdo të pavërtete, i mundëson njeriut të jetë realist për çdo realitet të mirë në të cilin gjendet, të mos tejkalojë masën e mbështetjes në çdo gjendje të mirë, në çdo njeri të mirë, në çdo kënaqësi që po përjeton aktualisht. Mosekzistenca e vërtetë e realiteteve që jeton secili prej nesh, ngërthen lidhjen unike të Krijuesit me krijesën, pasi i vetmi realitet që nuk e zhgënjen apo tradhton njeriun, që nuk e ngre apo nuk e ul tej mase e tej mundësive, që nuk ndryshon Vetë karshi krijesës dhe kushtet e marrëveshjes me të Cilin nuk ndryshojnë, përmbi ndryshueshmërinë kohore dhe hapësinore të kushteve, është Allahu, E Vërteta e vetme.

Realitetet e tjera marrin kuptim aq sa do Ai, nëse do Ai, ngadhnjejnë mbi ne, apo ngadhnjejmë ne mbi ta nëse i njohim për ato që janë në të vërtetë: realitete nevojtare për ekzistencën e Realitetit të Vetëm, i cili nuk ka nevojë e mbështetje askund për të qenë i vërtetë.

Prania e Tij është e vërtetë, Fjala dhe Premtimet e Tij janë të vërteta, Qenia e Tij është e vërtetë, të tjerët dhe gjithçka, qofshin sprovë apo mirësi, marrin prej Cilësisë së Tij të vërtetësisë aq sa do Ai, dhe aq sa i lëmë ne të na pushtojnë deri sa të kuptojmë e shohim se janë e pavërteta, deri sa të ruajmë masën ndaj realiteteve në zhdukje, përveçse ndaj Tij.

Mbështetja në çdo realitet tjetër vec Allahut, nuk bën tjetër veçse e lodh dhe e humb të zotin e saj, të cilin kështu e robëron. Ai është E Vërteta që ka qenë gjithmonë aty, që është gjithmonë aty, që do të jetë gjithmonë aty, përkundër të pavërtetës, e vështirë ose e lehtë qoftë, e cila është e asgjësuar dhe e kaluar, e zhdukur pikërisht në kohën që e jetojmë.

Përjetimi i ajetit në kuptimin metafizik të tij është Paqe Absolute, në kuptim të sigurisë, besim absolut në kuptim të lumturisë. Lumturi që nuk është gëzim dhe nuk cënohet nga mungesa e gëzimit apo ardhja e fatkeqësive. E kundërta e vetme e kësaj lumturie është asgjëja, e cila është mangësia dhe pamundësia e njeriut në perceptimin dhe ndijimin e së Vërtetës Absolute.

Përpjekja e vazhduar për të dalë prej asgjësë, errësirës së saj, do ta shpjerë pa tjetër krijesën drejt së Vërtetës së vetme të vërtetë, do ta shpjerë drejt njohjes e shquarjes së Zotit. Kjo përpjekje drejt Tij do ta shpjerë njeriun, sigurisht, drejt Lumturisë pa shkaqe ‘tokësore’ apo ‘njerëzore’, që të ngadhnjejë deri sa t’i përshfaqen para ekzistencës së tij të gjitha të pavërtetat që e kishin përfshirë me gëzim, apo që e kishin munduar dikur, dhe të qëndrojë para tyre thjesht fitimtar.

Allahu i zhduktë nga mendjet e zemrat tona realitetet e pavërteta që tashmë janë të zhdukura, përveçse në mendjet dhe zemrat tona që i përjetojnë ende, na lidhtë pas tyre aq sa Ai do, dhe na zgjidhtë prej tyre në paqe e fitimtarë! Amin!

Shpërndaje