Perendija me mâdhní të vet mbasi tregojë krijimin e njerzvet edhe ushqimin qi i përmban gjallnín e atyne, për t’ju tregue njerzvet edhe se qysh ai e ka bâ të parin e atyne zâvendës në faqe të dheut, dhe se qysh ju kan prulë engjëjt atí, urdhënon e thotë:
“Kujtoje o Muhammed! Dhe atë kohë kurë qi yt Zot ju tha engjëjvet: Un do të bâj në faqe të dheut nji zâvendës! Ata i thanë: O Zot! A do të bâjsh aty zâvendës një krijatyrë qi nxjerrë ngatrresa në faqe të dheut dhe derdh gjakna? Po na, të dëlirojmë ty prej të mêtash dhe të lavdëromë m’ata cilsí qi i meritojnë madhnís s’ate! Mbi kta fjalë, Perendija ju tha: “Un i dí ata sende qi ju nuk i dini!”
Ky ajet bashkë m’ata qi pasojnë kan zbrit për të numrue e për të kujtue nji (nimet) dhantí të Zotit, e cila âsht për gjithë njerzit. Sepse të bâmit Zoti zâvendës në tokë Ademin, dhe të detyruemit engjëjt për t’ju perulë e për t’i bâ sexhde atí, âsht nji dhantí e madhe për gjithë njerzit; se kurë nderohet burimi, natyrisht ju përket nji pjesë nderi edhe rrekenavet t’ati burimi.
“Un do të bâj në faqe të dheut nji zâvendës (halijfe).”
Halijfe quhet ai qi vjen pas tjetrit e zen vendit e ati. Qellimi me zâvendsin ktu âsht për të madhin Adem, sepse Ademi âsht i pari Profet , edhe se ç’do Profet âsht zâvendës i Perendís në faqe të dheut.
Kjo zâvendsí, nuk âsht pse ka Zoti ndo nji nevojë për të lanë zâvendës, por âsht për të plotsuë njerzit e mêtë, për t’aplikuë dispozitat Hyjnore, për të përhapë drejtësín në mest të njerzvet, sepse âsht nji nevojë e madhe për ndërmjetsín e disa njerzve të plotë, të cilët të konsiderojnë urdhnat e Zotit dhe të ju a komunikojnë njerzvet tjerë.
Perendija ju a shpalli engjëjvet të bâmen Ademin si zâvendës në tokë për të nxjerrë në shesh virtytin e Ademit dhe për të treguë se nuk vinë m’e lanë nji punë fort të dobishme pse ajo sjellë pak dâm.
“Ata i thanë: O Zot! A do të bâjsh aty zâvendës një krijatyrë qi nxjerrë ngatrresa në faqe të dheut, dhe derdh gjakna?”
Kjo pytje qi bânë engjëjt, sa do qi duket në menyrë të kundërshtimit, ata nuk i kundërshtojnë Zotit kurrë. Ata patën qellim m’at pytje me lypë prej Zotit të ju hjeki një dyshim qi ju erdh në mend. Shkurt ata pytën Perendín sikundër qi pysin nxansit mësuesin kur ju vjen ndonji dyshim.
Dyshimi i engjëjvet ishte ky: Ata menduen e thanë me vehte se njeriu do të krijohet me fuqí mendore, e cila e shtyrë atê të nxanë dije Hyjnore e t’i bindet Zotit, por do të ketë edhe dy fuqí tjera: fuqín idhnore dhe fuqín e epshit. Kta dy fuqí do t’ja mundin fuqín mendore njeriut e do t’a shtyrin atê gjithmonë në ngatrresa e në gjak derdhje. Prandaj kujtuen se njeriu s’vinë me qenë zâvendës në tokë.
Perendija tuë ju thanë engjëjvet: “Un i dí ata sende qi ju s’i dini”, ju dha të kuptojnë se ndër njerzit do të vinë Pejgamberët qi do t’ju mësojnë atyne rregullat e moralit, me të cilat do t’i edukojnë fuqít e epshit e t’idhnimit, e ashtu ka me triumfuë mendja mbi fuqít tjera dhe kan me bâ njerzit punë të mira e mjeshtrina të çuditshme.
“Perendija ja mësojë Ademit gjithë emnat e gjâsendevet, pastaj ju a rrëfejë ata sende engjëjvet e ju tha: M’i kallxoni emnat e ktyne sendeve muë n’jeni të vërtetë në pretencën t’uej!”
Pytja qi bânë engjëjt do e mos t’ep me kuptuë se ata doshin me thanë: O Zot! Çuditemi dhe s’e marrim vesht (hiqmetin) pse do me krijuë njerín kur ai ka në natyrë me qitë ngatrresa e me derdhë gjakna? Qysh do m’e bâ at zâvendës në tokë, tuë qenë na mâ të meritueshëm se ai për atë punë?
Dhe Perendija për të jua a rrëfyë engjëjvet se ata nuk e kan me vend atë pretendim qi nënkuptohet nga pytja e atyne, i shtjen nji herë në zemër Ademit emnat e gjithë sendevet, pastajë jua a tregojë ata sende atyne, e m’at çast ju tha: M’i kallxoni emnat e ktyne sendeve muë, në jeni të vërtetë në pretencën t’uej! D.m.th: T’a dijni sheshazi se ju kurr se si nuk mundeni me m’i kallzuë emnat e gjith sendevet, sepse nuk kini kapasitet për atë dituní, pra vjen prej vedit se ju, nuk meritoni m’u bâ zâvendës në faqe të dheut.
Urdhëni i dhanun engjëjvet për t’i treguë Zotit ata emnat e gjithë sendeve âsht nji urdhën për t’ju rrëfye atyne qi s’munden kurrë m’e bâ atë punë. Ai urdhën nuk âsht urdhën detyrimi qi të thohet se vinë me të detyruë Zoti me nji gjâ qi s’ja ke fuqí me bâ.
Perendija për të tregue se ç’kan thanë engjëjt karshi atij urdhni qi ju dha urdhnon e thotë se engjëjt u përgjegjën tmerueshëm, me përvujtní të plotë e thanë:
“O Zot! Na të dëlirim Tŷ prej gjithë të mbetash (subhaneke), na s’kemi far dijenije përveç asaj qi na e ké mësue Ti, se Ti jé o Perendí qi i din të tana edhe i punon punët me vend!
Fjala “subhaneke” don me thanë: Të dëlirojmë Tŷ o Zot prej gjithë të mbetash. Qëllimi i engjëjvet me thanëjen e ksajë fjale në fillim të ligjratës âsht për me pohue padijenín e atyne se ku qëndron e verteta, edhe për të kërkue ndjesë prej pytjes qi patën bâ mâ përpara, sikur me thanë: O Zot! Na të dëlirojmë Tŷ nga çdo punë qi shkaktojë pytjen t’onë n’at mënyrë, se na s’dijmë gjâ tjetër veçse atê qi na e ké mësue Ti vetë.
Bejzaviu thotë se: Thanëja e engjëjvet: Na s’kemi farë dije … në vend qi të thojshin: Na s’dijmë emnat e ktyne …, âsht për të pohue fajin qi bânë pse u ngutën në pytjet, âsht edhe për të rrëfye se pytja e atyne nuk ishte si kundërshtim, por ishte për të marrë vesht se ku qindron e verteta, âsht edhe për t’iu falnderue Zotit pse ju dha të kuptojnë ata sende qi s’i dishin.
Perendija ja drejtoj fjalën Ademit e i tha:
“Or Adem! Rrëfeju engjëjvet emnat e ktyne sendevet! Ademi kur qi m’at çast ju a rrëfejë emnat e sendeve atyne, Zoti prap ju a këthejë fjalën engjëjvet e ju tha: A nuk ju paç thanë juve se un i dí të mësheftat e qiellve dhe të tokës, i dí edhe fjalët qi çfaqët ju për Ademin edhe ata sende qi i mbani në zemër ju?”
Me kët mënyrë Zoti ju rrëfeu engjëjvet qi Ademi âsht mâ i virtytshëm se ata për punë zâvendsije.
Kta katër ajetet e fundshëm tregojnë dhe shënojnë shumë çashtje me randsí, ndër të cilat janë:
i. Të qenunit e ditunís mâ e virtytshme se gjithë cilsít tjera.
ii. Të qenunit e njeriut mâ i virtytshëm se ç’do tjetër kreatyrë.
iii. Të qenunit konditë ditunija për meritimin e zâvendsís.
iv. Të qenunit e Ademit mâ i virtytshëm se engjëjt, etj.
Ajetet tregojnë se ditunija âsht përmbi gjithë virtytet, sepse Perendija e vërtetoj me ditunín e Ademit të qenunit e atí mâ i virtytshëm se engjëjt, e jo me tjetër gjâ. Pra nënkuptohet se çdo njeri qi të hypi në kryë të nji pune duhet me doemos të jetë i ditshëm për at punë. Mjerë për ata qi i dalin zot nji pune, për të cilën s’kanë farë dijenije!
* Shkëputur prej librit “Ajka e Kuptimevet të Kurani Qerimit” nga Hafiz Ibrahim Dalliu.