Analiza retorike e sures 101 “Gjëmimi”

1. Gjëmimi!
2. Çfarë është Gjëmimi?!
3. Nga mund ta mësosh, çfarë është Gjëmimi?
4. Ditën kur njerëzit të jenë si fluturakë të hapërdarë
5. dhe malet të bëhen si lesh i ngjyer fije-fije.
6-7. Sa i përket atij që do t’i rëndohet peshorja, ai do të ketë një jetesë të kënaqshme,
8-9. ndërsa atij që do t’i lehtësohet peshorja, nëna e tij do të jetë hāūījah.
10. Nga mund ta mësosh, çfarë është ajo?
11. Zjarr përcëllues.

Al-Ḳāriʻah është një sure eskatologjike, e cila i paralajmëron njerëzit për Ditën e Fundit dhe Gjykimin. Më poshtë, gjymtyrët e saj janë vendosur mbi njëra-tjetrën dhe rigrupuar në çifte paralele.
1. Gjëmimi!
2. ———————————–Çfarë është Gjëmimi?!
3. Nga mund ta mësosh, —– çfarë është Gjëmimi?
4. Ditën kur —– njerëzit —– të jenë si —— fluturakë —— të hapërdarë
5. dhe ———— malet ——–të bëhen si — lesh i ngjyer — fije-fije.
6-7. Sa i përket — atij që do t’i rëndohet peshorja, —– ai do të ketë një jetesë të kënaqshme,
8-9. ndërsa ——– atij që do t’i lehtësohet peshorja, — nëna e tij do të jetë hāūījah.
10. Nga mund ta mësosh, —– çfarë është ajo?
11. Zjarr përcëllues.

Gjymtyrët 1, 10 dhe 11 mbeten të izoluar, ndërsa të tjerët formojnë segmente dy-gjymtyrëshe.
Gjymtyrët 2 dhe 3 trajtojnë të njëjtën pyetje, me pak ndryshim. Gjymtyrët 4 dhe 5, gramatikisht janë ndërtuar në të njëjtën mënyrë dhe kanë domethënie të ngjashme: në Ditën e Gjykimit njerëzit janë të hapërdarë ndërkohë që malet shpërthejnë. Gjymtyrët 6-7 dhe 8-9 kanë të njëjtin konstrukt gramatikor, por kuptim të kundërt.

Në këtë mënyrë, e tërë sura përbëhet nga gjashtë segmente: tre me nga një gjymtyrë dhe tre të tjera me nga dy gjymtyrë. Këto gjashtë segmente mund të rigrupohen në dy pjesë me nga tri segmente si vijon:
A —— 1. Gjëmimi (al-ḳāriʻah)!
B —— 2. ———————————– Çfarë është Gjëmimi?!
3. Nga mund ta mësosh, —– çfarë është Gjëmimi?
C —— 4. Ditën kur —– njerëzit —– të jenë si —— fluturakë —— të hapërdarë
dhe ———— malet ——– të bëhen si — lesh i ngjyer —fije-fije.
C’—— 6-7. Sa i përket — atij që do t’i rëndohet peshorja, —– ai do të ketë një jetesë të kënaqshme,
8-9. ndërsa ——–atij që do t’i lehtësohet peshorja, — nëna e tij do të jetë hāūījah.
B’—— 10. Nga mund ta mësosh, —– çfarë është ajo?
A’—— 11. Zjarr përcëllues (ḥāmījah).

Disa tregues të kompozimit të tekstit provojnë se struktura e dy pjesëve të sures është ajo e simetrisë së përmbysur ABC/C’B’A’.

Në dy skajet e tyre shfaqen terma të izoluar: ”gjëmimi”, i cili evokon një përmbysje kozmike dhe “zjarri përcëllues”, i cili evokon ferrin. Përputhja mes këtyre dy termave përforcohet nga përsëritja e tingujve të të njëjtave zanore: ḳĀriʻah / ḥĀmĪjAh.

Në pozicionin e mesit BB’ shfaqen pyetje që janë pjesërisht identike. Në pozicionin e mesit CC’ shfaqen dy segmente, secili me nga dy gjymtyrë që kanë struktura gramatikore tërësisht paralele. Për më tepër, segmentet formojnë mes tyre një paralelizëm plotësues: i pari (C) përshkruan kataklizmën e Ditës së Fundit, i dyti (C’) Gjykimin.

Nga këndvështrimi retorik pra, sura është e përbërë prej një pjese të vetme, e cila evokon Ditën e Gjykimit nëpërmjet dy pjesëve plotësuese. Pjesët qëndrojnë ndaj njëra-tjetrës sipas një strukture pasqyruese, ku e para përshkruan përmbysjen kozmike të asaj dite, ndërsa e dyta Gjykimin dhe shpërblimin sipas tij.

(Shkëputur nga artikulli “The Semitic rhetoric in the Koran” i Michel Cuypers).

Ajetet 6-9: Sa i përket atij që do t’i rëndohet peshorja, ai do të ketë një jetesë të kënaqshme, ndërsa atij që do t’i lehtësohet peshorja, nëna e tij do të jetë hauijeh

Fjala e përkthyer si “peshore” në arabisht është “meuazin”, shumësi i fjalës “mizan” – peshore. “Ka mundësi që Ditën e Gjykimit të ketë disa peshore për veprat, ku në çdo peshore të matet një lloj i caktuar veprash, ose është e mundur që të ketë një peshore për të cilën është shprehur në shumës ajeti. Ka mendime që “meuazin” është shumësi i meuzun, gjësë që peshohet, dhe me këtë fjalë të nënkuptohen veprat që do të peshohen” (Muhammed el-Kurtubij).

Sipas Ibën Kethir-it, kuptimi i rëndesës së peshores është tejkalimi në peshë i veprave të mira ndaj veprave të këqija, ndërsa lehtësimi i peshores do t’i ndodhë atyre, veprat e mira të të cilëve do të peshojnë më pak se sa veprat e këqija.

Fakhr ed-Din er-Razi shpjegon arsyen përse punët e mira rëndojnë Ditën e Gjykimit. “Vepruesit e tyre në jetën e kësaj bote kanë ndjekur të vërtetën, e cila ka qenë e rëndë për ta. Peshorja mbi të cilën peshohet e vërteta nuk ka si të jetë përveçse e rëndë. Veprat e këqija nuk kanë peshë, sepse ata që i kryen në këtë jetë ndoqën iluzionin, i cili nuk u rëndoi mbi supe.”

Ajeti 7: …, ai do të ketë një jetesë të kënaqshme

Jetesën në parajsë Zoti e ka cilësuar si të kënaqshme, duke mos i atribuuar asaj cilësinë e lumturimit të banorit të parajsës. Fjala e përkthyer si “jetesë” në arabisht është “`isheh”, e cila është përdorur gjetiu në Kuran për të përshkruar kënaqësitë shqisore të parajsës:
“… prandaj ai do ketë një jetesë të kënaqshme,
në një Kopsht të lartë,
me vile frutash lehtësisht të arritshme.

“Hani dhe pini të kënaqur, si shpërblim për atë që keni bërë në ditët e kaluara”!” (El-Hakkah 69, 21-24).
Duke komentuar dallimin mes lumturisë së shpirtit dhe kënaqësive së shqisave, Fakhr ed-Din er-Razi shkruan se “njeriu është krijuar prej trupit dhe shpirtit. Parajsa e trupit është ajo që është përshkruar në Kuran, ndërsa parajsa e shpirtit është kënaqësia e Zotit me njeriun. Fillesa e njeriut është nga bota e trupit, kurse përfundimi i çështjes së tij është bota e intelektit dhe e shpirtit. Prandaj është normale që përshkrimi i shpërblimit në Kuran fillon me parajsën dhe përfundon me kënaqësinë e Allahut”.

Ajeti 9: …, nëna e tij do të jetë hauijeh

Fjala “hauijeh” derivon nga rrënja tri-gërmëshe ha-uau-ja. Folja “heua” që përbëhet nga këto tri gërma ka kuptimin rrëzohem, bie, ndërsa emri i formuar po me të njëjtat gërma ka kuptimin e prirjes së egos ndaj epsheve të ulëta, të cilat konsumohen në mënyrë jolegjitime. Gjithashtu, “heua” konsiderohet edhe kapriçoja, ai opinion vetjak që shmanget ose devijon nga e vërteta apo rruga e drejtë. “Hauijah” nga ana tjetër përkthehet si greminë, humnerë, fundi i së cilës nuk arrihet. Nisur nga kuptimet e këtyre fjalëve me rrënjë të përbashkët, ajeti ngërthen në vetvete tri dimensione.

Dimensioni i parë: Gremisja në zjarr.
“Ajeti “nëna e tij do të jetë hauijah” ka kuptimin: Do të gremisen në zjarr me kokët e tyre” (Ibën Xherir et-Tabari).

Dimensioni i dytë: Vajtja drejt zjarrit sikur të ishte vendstrehim.
“Zjarri do të bëhet streha e tij, ashtu siç strehon nëna fëmijën e saj. Ai do të jetë vendstrehimi tek i cili kthehet, sikurse Zoti ka thënë në ajetin 151 të sures Al ‘Imran “Streha e tyre do jetë zjarri; banesa e keqbërësve është vërtet e keqe”” (Ibën Xherir et-Tabari).

“Fëmija i kthehet nënës së tij për ndihmë dhe mbrojtje kur kërkon ngushëllim dhe siguri në shtëpi. Por, njerëzit me peshore të lehta do kenë mundësi t’i kthehen dhe drejtohen vetëm humnerës! E tillë do të jetë nëna e çdo njeriu, pesha e veprave të të cilit do të jetë e lehtë. Shprehja e gjetur është e mprehtë dhe përmban një hije paqartësie që përgatit terrenin për qartësimin e mëpasshëm, i cili i shton thellësi efektit të synuar: “Nga mund ta mësosh, çfarë është ajo?” Shfaqet përsëri pyetja e mistershme, e përdorur shpeshherë në Kuran, e cila tërheq vëmendjen tek ajo që është përtej kuptueshmërisë dhe shikueshmërisë. Por, çfarë do të gjejë njeriu te një nënë e tillë? Asgjë, përveç humnerës dhe zjarrit përcëllues” (Sejid Kutb).

Dimensioni i tretë: Ai që ndjek epshin gremiset në këtë botë dhe në tjetrën.
Duke u nisur nga lidhja etimologjike mes fjalëve “heua” dhe “hauijah”, Raghib el-Isfahani ka dhënë këtë urtësi të rrafshit moral: “Kapriçoja, epshi i ndaluar, është quajtur “heua”, sepse ai e gremis (“jehuij”) ndjekësin e tij në këtë botë në shkatërrim (dahijeh), ndërsa në botën tjetër e gremis në humnerë (“hauijeh”).”

Ajeti 10: Nga mund ta mësosh, çfarë është ajo?
Ajeti në arabisht është: “Ue ma edrake ma hijeh?” Përemri vetor “ajo” në arabisht është “hije”. Në ajet, ky përemër ka marrë një “h” të pazakontë në fund. Duket sikur njeriu dëshiron të vazhdojë fjalinë, të thotë “ajo është …”, por nuk arrin ta plotësojë dot as fjalën e parë. E fillon fjalinë me “h”-në e fjalës “hije”, nuk e vijon dot atë dhe “h”-ja bashkohet me fundin e përemrit që ka mbyllur fjalinë paraardhëse. “H”-ja në fund të fjalës “hije” tregon se permendja e “hauijeh”-s e shtin në ankth aq të madh zemrën, sa njeriu nuk arrin të vazhdojë fjalën” (Burhan ed-Din el-Bika’i).

Ajeti 11: Zjarr përcëllues.
Ajeti lë të kuptohet që llojet e tjera të zjarrit nuk janë zjarr në krahasim me zjarrin e botës tjetër, sikur zjarret e kësaj bote të mos ishin djegëse. Vetëm kjo mjafton si paralajmërim për shkallën e tij përvëluese” (Fakhr ed-Din er-Razi).

“Pasi i frikësoi njerëzit me përmendjen e “hauijeh”-s, Zoti e vazhdon tregimin me përshkrimin e asaj që mund të kuptohet nga njerëzit dhe kështu e cilëson zjarrin si përcëllues, sepse njerëzit këtë njohin nga zjarri. Përsa i përket detajeve, ato nuk i di përveçse Zoti. Ky përshkrim zbulon pasojën më të rëndë që sjell Gjëmimi, duke krijuar në sure një harmoni të brendshme mes fillimit dhe fundit të saj” (Burhan ed-Din el-Bika’i).

Shpërndaje