Në epokën e shekullarizmit, kur fesë i është mohuar luajtja e një roli aktiv në sferën publike, një angazhim i saj në çështjet e lirive dhe të drejtave politike të shoqërive duket i vështirë për t’u kuptuar. Në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose tërthorazi, një cungim i tillë i fushëveprimit të fesë duket se ka prekur edhe vetë përfytyrimin e muslimanëve mbi shtrirjen e parimeve fetare në çdo rrafsh të jetës njerëzore.

Një shembull tipik i këtij kuptimi të cunguar është paraqitja e misionit të Profetit Musa tek Faraoni si një angazhim për të paralajmëruar dhe qortuar Faraonin për mosbesimin e tij dhe për ta ftuar atë të besonte e t’i nënshtrohej Zotit. Madje vetë ndëshkimet që goditën Egjiptin si shenja paralajmëruese dhe ngadhënjimi i Musait mbi magjistarët konsiderohen mjete të fuqishme pikërisht për të bindur Faraonin të besojë. Me këtë logjikë, largimi i izraelitëve nga Egjipti, dhe i Musait bashkë me ta drejt tokës së premtuar, duhet interpretuar si rrjedhojë e mospranimit të Islamit nga ana e Faraonit. Por, a ishte vërtet misioni i Musait në Egjipt grishja e Faraonit në besim?

Kërkesa me të cilën Musai shkoi te Faraoni nuk qëndronte në nënshtrimin e tij ndaj Zotit dhe besimin në profetësinë e Musait, por në lejimin e izraelitëve të skllavëruar që të largoheshin me të prej Egjiptit. Argumentet për cilësitë e Zotit dhe vërtetësinë e profetëisë së Musait vijuan pas refuzimit të dhënies së lirisë izraelitëve. Kjo sekuencë shfaqet qartë në dialogun mes Musait dhe Faraonit në suret A’araf, TaHa dhe Shu’ara.

Kërkesa për çlirimin e izraelitëve është kërkesa e vetme, të cilën Allahu porosit Musain t’ia parashtrojë Faraonit. Polemika mes tij dhe Musait rreth Zotit dhe argumenteve me të cilat Ai kishte dërguar Musain është rrjedhojë e refuzimit të kërkesës prej Faraonit, duke qenë se Musai e parashtroi atë në emër të Zotit prej të Cilit ishte dërguar. Ajetet e mëposhtme që tregojnë dialogun e zhvilluar mes Musait dhe Faraonit, në prani të rrethit të ngushtë të këshilltarëve të tij, argumentojnë më së miri qëllimin e misionit të dërgimit të Musait te Faraoni:

“Musai tha: “O Faraon, unë jam një Mesazher prej Zotit të botëve. Nuk më takon të them vetëm se të vërtetën. Kam ardhur tek ju, pa dyshim, me një argument të qartë prej Zotit tuaj, prandaj lëri të vijnë me mua bijtë e Izraelit”. Ai tha: “Në rast se ke ardhur me ndonjë shenjë, tregoje atë nëse je me të vërtetë i sinqertë”. Kështu ai hodhi shkopin e tij që u shndërrua në moment në një gjarpër të gjallë, si dhe nxori dorën që shndriti menjëherë për të pranishmit. Njerëzit e rrethit të Faraonit thanë: “Ky është me të vërtetë një magjistar shumë i ditur” (El-A’araf 7, 104-109).

“Shko, ti dhe vëllai yt, me shenjat Tona, dhe mos reshtni së Më përmenduri Mua. Shkoni, të dy ju, te Faraoni, vërtet ai i ka tejkaluar kufijtë. Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta ai përkujtohet ose frikësohet. Shkojini atij dhe thuajini: “Ne të dy jemi Mesazherë të Zotit tënd, prandaj lëri të vijnë me ne bijtë e Izraelit dhe mos i torturo ata. Ne të kemi ardhur, me të vërtetë, me një shenjë prej Zotit tënd. E paqja është për atë që ndjek udhëzimin”. Tha: “Kush është Zoti i ju të dyve, o Musa”? Ai u përgjigj: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e saj, pastaj e udhëzoi” (TaHa 20, 42-44; 47; 49-50).

“Përkujto kur Zoti yt i thërriti Musait: “Shko te populli i padrejtë, populli i Faraonit. A nuk po frikësohen ata”?! Ai tha: “Zot, unë kam vërtet frikë se do të më përgënjeshtrojnë, se do të më ngushtohet kraharori dhe do të më lidhet gjuha, prandaj dërgo edhe Harunin. Gjithashtu, unë kam bërë një krim ndaj tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin”. Ai tha: “Kurrsesi, prandaj shkoni të dy me shenjat Tona, Ne do të jemi me ju duke dëgjuar. Shkojini të dy Faraonit dhe thuajini: “Ne jemi Mesazherë të Zotit të botëve, që bijtë e Izraelit të vijnë me ne”. Ai tha: “A nuk të kemi rritur që kur ishe i porsalindur, a nuk qëndrove te ne disa vite të jetës tënde, e pastaj bëre veprimin që bëre dhe tani je mosmirënjohës”?! (Esh-Shu’ara 26, 10-19).

Musai ishte rritur si një princ në pallatin mbretëror të Faraonit. Duke ndjerë kërcënimin që përfaqësonte kërkesa e Musait për pushtetin e tij, Faraoni i përmendi që në fillim të takimit vrasjen e kryer prej Musait përpara se të largohej nga Egjipti. I vetëdijësuar për Zotin, si dhe për skllavërimin e padrejtë të izraelitëve, Musai mund të kishte kërkuar të pranohej përsëri si pjesëtar i oborrit të Faraonit duke shfaqur pendesë për vrasjen e egjiptianit, e kështu të përpiqej për çlirimin e izraelitëve nga brenda sistemit faraonik. Por, Zoti deshi që Musai të përballej me Faraonin e t’ia thoshte publikisht të vërtetën në sy, dhe në emër të Zotit t’i kërkonte heqjen dorë nga robërimi i izraelitëve dhe lirinë e tyre.

Në anë të kundërt me atë të Musait qëndroi Karuni, i cili vërtet ishte një izraelit, por kishte mundur të fitonte pasuri dhe status si pasojë e përfshirjes në sistemin e Faraonit. Allahu e citon Karunin në Kuran përkrah Faraonit dhe ministrit të tij Hamanit, në grupin e individëve kryesorë të cilëve iu drejtuan shenjat e Tij: “Ne e dërguam Musain me shenjat Tona dhe një provë të qartë, te Faraoni, Hamani dhe Karuni, të cilët thanë: “Është magjistar, një gënjeshtar i madh” (Ghafir 40, 23-24). Në një kohë kur izraelitët shtypeshin dhe skllavëroheshin prej Faraonit, për një izraelit si Karuni ishte e pamundur të bëhej “më i pasuri i vendit” (Ismail ibën Kethir) pa bashkëpunuar me Faraonin dhe njerëzit përreth tij. Është e mundshme që, duke qenë “funksionar i Faraonit për të mbikqyrur izraelitët” (Muhammed el-Kurtubij), Karuni të ketë përdorur pasurinë e tij për t’i bërë izraelitët gjithashtu bashkëpunëtorë të sistemit faraonik, sepse Allahu përmend në ajetin 76 të sures Kasas që Karuni i shtypi izraelitët “me pasurinë e tij të shumtë” (Ibën Xherir et-Tabari).

Nëse Faraoni dhe Hamani ishin projektuesit dhe ndërtuesit e sistemit robërues faraonik, Karuni ishte pjesëtari i popullit të robëruar që ishte bërë palë me robëruesit. Edhe pse ishte “djali i xhaxhait të Musait” (Ibën Xherir et-Tabari), pasuria e madhe, e fituar në një kohë kur izraelitët persekutoheshin dhe skllavëroheshin, e çoi në arrogancë, e bëri që “ta mohonte Zotin, të mos i bindej Musait” (Muhammed esh-Sheukani) dhe “ta akuzonte atë për shkelje kurore” (Ibën Xherir et-Tabari), derisa “toka u hap dhe e gëlltiti bashkë me shtëpinë e tij” (El-Kasas 28, 81).

Në Kuran gjejmë edhe historinë e Profetit Jusuf, i cili u bë pjesë e sistemit politik të kohës duke marrë një detyrë të lartë drejtuese nga mbreti i Egjiptit. Muslimanët shqiptarë sot mund t’i referohen më shumë shembullit të Jusufit në kërkimin e modelit kuranor për të gjetur mënyrën e integrimit dhe bashkëveprimit me sistemin në të cilin gjenden. Por shembulli më i drejtë për t’u ndjekur është ai i Musait, jo i Jusufit. Mbreti i Egjiptit në kohën e Jusufit ishte një sundimtar i drejtë, që nuk robëronte qytetarët e vendit të tij dhe që përpiqej për mirëqenien e tyre.

Ëndrra që ai pa dhe që Jusufi ia interpretoi është treguese e shkallës së lartë të shqetësimit për mbarëvajtjen e sundimit të tij. Nxjerrja e Jusufit nga burgu nga ana e mbretit, qortimi publik i gruas së ministrit të tij dhe mikeshave të saj që u bënë shkak për futjen e tij në burg, dhënia e postit drejtues Jusufit kur kuptoi domethënien e ëndrrës, janë episode që vërtetojnë drejtësinë e qeverisjes së tij, pjesë e së cilës u bë edhe Jusufi. Nga ana tjetër, Faraoni i Egjiptit të Musait është arroganti më i madh i historisë, ai që pretendoi hyjnizimin dhe adhurimin nga të tjerët, që robëroi popullin e tij dhe sfidoi shenjat e Zotit. Për Musain nuk kishte vend bashkëpunimi me një pushtet të tillë, sepse ai meritonte denoncim dhe ballafaqim. Të njëjtin qëndrim me Musain duhet të mbajnë dhe muslimanët sa herë gjenden në një shoqëri që i ngjason dhe ka marrë trajtat e sistemit faraonik.