Besa e grave

“O ti Profet, kur të vijnë besimtaret për të të dhënë besën, se nuk do t’i shoqërojnë asgjë Allahut, se nuk do të vjedhin, nuk do të kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do t’i atribuojnë bashkëshortëve fëmijë që nuk janë të tyret, dhe nuk do të kundërshtojnë të mirën, atëherë pranoje zotimin e tyre dhe lute Allahun t’i falë ato! Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirues!” (El-Mumtahana 60, 12)

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se ‘Aisha ka thënë që, kur gratë besimtare emigronin për te Profeti ﷺ në Medine përpara se muslimanët të ngadhënjenin mbi Mekën, ai i provonte nëpërmjetit ajetit të mësipërm. Nëse ato i miratonin urdhëresat që ai përmbante, Profeti ﷺ u thoshte: “Vazhdoni sepse ua kam dhënë besën”. Tantauij ka thënë se dhënia e kësaj lloj bese nga ana e grave për Profetin ﷺ ka ndodhur më shumë se një herë. Ajo ka ndodhur pas marrëveshjes së Hudejbijes, kur disa gra besimtare braktisën burrat e tyre idhujtarë dhe emigruan nga Meka në Medine, apo pas ngadhënjimit mbi Mekën, kur banoret e saj erdhën te Profeti ﷺ për t’i dhënë besën në Islam.

Ndonëse dhënia e besës nga ana e grave ka filluar në vitin e gjashtë të emigrimit, pas marrëveshjes së Hudejbies, kur gratë besimtare filluan të largoheshin nga Meka dhe të emigronin për në Medine, besa e parë e emërtuar si “besa e grave” është dhënë në fakt nga ana e burrave në pllajën e ‘Akaba-së në Mekë, një vit e disa muaj përpara emigrimit. Ibën Kethiri thotë se dymbëdhjetë muslimanë nga Jethrib-i, të cilët kishin shkuar në Mekë për të kryer haxhin, u takuan me Profetin ﷺ dhe i dhanë atij “besën e parë të ‘Akaba-së”. ‘Ubada ibën Samit tregon se ka qenë një prej të dymbëdhjetëve që i dhanë Profetit ﷺ të ashtuquajturën “besë e grave”, e emërtuar kështu sepse në kohën e dhënies së saj luftimi nuk ishte bërë ende i detyrueshëm dhe sepse, disa vite më vonë, kjo besë do të ngjante në përmbajtje me besën që do të jepnin gratë pas marrëveshjes së Hudejbijes. Në ‘Akaba, besimtarët nga Jethrib-i u zotuan se nuk do t’i shoqëronin askënd Zotit, se nuk do të vidhnin, nuk do të kryenin marrëdhënie jashtëmartesore, nuk do të vrisnin fëmijët e tyre, nuk do të akuzonin njëri-tjetrin pa të drejtë dhe nuk do të kundërshtonin të mirën.

Pas një viti, po në pllajën e ‘Akaba-së dhe në sezonin e haxhit, një grup prej rreth shtatëdhjetë besimtarësh nga Jethrib-i i dhanë besën e dytë Profetit ﷺ. Në dallim nga besa e një viti më parë, ku ata ishin zotuar vetëm për t’iu përmbajtur obligimeve të karakterit individual, këtë herë obligimet që duheshin përmbushur ishin edhe të karakterit shoqëror. Përveç atyre, ata duhej të zotoheshin se do ta mbronin Profetin ﷺ duke luftuar në rast se ai sulmohej prej armiqve të tij. Ibën Kethiri tregon se Profeti ﷺ iu drejtua me këto fjalë besimtarëve nga Jethrib-i, të cilët kishin ardhur t’i ofronin strehim dhe mbrojtje në Jethrib: “Ju duhet të jepni besën se do të dëgjoni dhe bindeni edhe kur është për të vepruar, edhe atëherë kur nuk duhet vepruar, se do të jepni lëmoshë edhe kur të ndodheni në gjendje të mirë, edhe në vështirësi, se do të urdhëroni të mirën dhe do të frenoni të keqen. Do të thoni të vërtetën për Allahun dhe nuk do t’i frikësoheni atyre që do t’ju kritikojnë për këtë, si dhe do të më ndihmoni dhe do të më mbroni – nëse unë vij tek ju – në të njëjtën mënyrë siç ndihmoni dhe mbroni veten, gratë dhe fëmijët tuaj. Në këtë mënyrë, ju do të shkoni në parajsë”. Pas këtyre fjalëve, Bera’a bin Ma’mur e mori dorën e Profetit ﷺ dhe u zotua në emër të besimtarëve të Jethrib-it, në prani të ‘Abbas-it, xhaxhait idhujtar të Profetit ﷺ që e shoqëronte në këtë takim për t’u siguruar se nipit të tij do t’i jepej mbrojtja e nevojshme në Jethrib, duke thënë: “Po, pa dyshim, betohem në emër të Atij që të ka dërguar me të vërtetën, se do të të mbrojmë ashtu sikurse mbrojmë gratë tona nga çdo gjë që i kërcënon ato. Ne po të japim besën, o Mesazher i Allahut, sepse jemi, të betohem për këtë, luftëtarë prej shumë brezash, nga baballarët te bijtë”.

Përveç dy besëlidhjeve të ‘Akaba-së, burrat besimtarë i dhanë edhe një besë tjetër Profetit ﷺ në Hudejbije, në vitin e gjashtë të emigrimit, ku “u betuan se nuk do të largoheshin nëse do të përballeshin me armiqtë në luftë dhe nuk do t’i kthenin shpinën atyre në betejë” (Ibën Xherir et-Tabari). Kjo besë u dha ndërkohë që ‘Uthman bin ‘Affani kishte shkuar në Mekë të njoftonte kurejshët për arsyen e ardhjes së Profetit ﷺ dhe muslimanëve në dyert e Mekës, e cila ishte kryerja e ‘umres. Vonesa në kthim e ‘Uthmanit bëri të përhapej lajmi se ai ishte vrarë, gjë që e shtyu Profetin ﷺ të thoshte se muslimanët “nuk do të largoheshin derisa të luftonin armiqtë” e tyre (Ibën Xherir et-Tabari) dhe t’i merrte shokëve të tij besën për këtë. Kjo besë u dha ”nën një pemë akacieje, nga një mijë e treqind besimtarë apo më shumë, të cilët u betuan se do të luftonin kurejshët, se nuk do të largoheshin nga beteja dhe se do të ishin të gatshëm për të vdekur” (Xhelal ed-Din es-Sujuti).

Shtatë vite pas besës së parë në ‘Akaba, kur zbriti ajeti i besës që jipnin gratë, të cilat emigronin nga Meka në Medine pas marrëveshjes së Hudejbijes, muslimanët e kuptuan se besa e parë që i kishin dhënë Profetit ﷺ kishte në fakt përmbajtjen e besës së grave. Me kalimin e viteve, ata e kishin ngritur shkallën e besëlidhjeve të tyre duke i dhënë besë të tjera me natyrë burrërore Profetit ﷺ, si besa e dytë në ‘Akaba dhe ajo e Hudejbijes. Kur zbriti ajeti i sures Mumtahana për besën e grave, besimtarët patën mundësi të shihnin rrugëtimin e tyre nga besa e parë “e grave” në ‘Akaba deri në besën për t’u vetëmohuar në Hudejbije, dhe kështu t’u shtohej vetëdija për rolin e burrave besimtarë në mbajtjen dhe ngritjen e fesë.

Përgatiti: G. Demneri

Shpërndaje