Dashuria e Profetit për Zejneb bint Xhahsh

وَإِذْ تَقُولُ لِلَّذِيۤ أَنعَمَ ٱللَّهُ عَلَيْهِ وَأَنْعَمْتَ عَلَيْهِ أَمْسِكْ عَلَيْكَ زَوْجَكَ وَٱتَّقِ ٱللَّهَ وَتُخْفِي فِي نَفْسِكَ مَا ٱللَّهُ مُبْدِيهِ وَتَخْشَى ٱلنَّاسَ وَٱللَّهُ أَحَقُّ أَن تَخْشَاهُ

Risill në kujtesë kur i the atij që Allahu e bekoi me mirësi dhe ti e bekove me mirësi: “Mbaje gruan dhe druaju Allahut”. Ti fshihje në veten tënde atë që Allahu do shfaqte dhe u frikësoheshe njerëzve, ndërsa Allahu e meriton më shumë t’i frikësohesh. (Surah el-Ahzab 33, 37)

Personi për të cilin bën fjalë ajeti është Zejd ibën Haritha, të cilin Allahu e bekoi duke e udhëzuar në Islam, kurse Profeti e bekoi duke i dhënë lirinë nga skllavëria dhe duke e adoptuar si djalin e tij. Tabarani transmeton se kur Zejdi vendosi të divorconte Zejneben, erdhi te Profeti dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dëshiroj ta divorcoj gruan time”. Profeti e pyeti: “Çfarë të ka ngjarë? A mos ke dyshime për të?” Ai u përgjigj: “Jo, për Allahun, o i Dërguari i Allahut, prej saj nuk kam parë vetëm se mirë, por ajo mbahet me të madh para meje për shkak të prestigjit që ka dhe më lëndon me fjalët e saj”.

Dijetarët kanë rënë në kundërshti për sa i takon asaj që Profeti ka fshehur brenda vetes në këtë rast, nëse ishte fakti që ai do të martohej me Zejneben pasi Zejdi ta divorconte atë, apo ishte dashuria që i lindi për Zejneben. Ajo ka qenë pa dyshim diçka e rëndë për Profetin, aq sa Aisha ka thënë në një hadith të transmetuar nga Tirmidhiu: “Nëse Profeti do të kishte fshehur diçka nga shpallja, do kishte qenë ky ajet.”

Komentuesit dhe dijetarët bashkëkohorë duket se janë të unifikuar rreth mendimit që Profeti fshehu dijen që kishte prej Allahut se ai do të martohej me Zejneben, nga frika që njerëzit do të thonin më pas se u martua me ish-gruan e djalit.

Dr. Uahba ez-Zuhajli ka shkruar se: “Ajo çfarë fshehu Profeti ishte informacioni që kishte prej Allahut se Zejnebi do të divorcohej dhe ai do të martohej me të, dhe jo simpatia dhe dashuria për të, apo meraku që Zejdi ta divorconte atë, sepse kjo gjë nuk i ka hije statusit të profetësisë dhe nuk përputhet me realitetin. Ai që shprehet me vetëdije kështu, ose është injorant për pagabueshmërinë e Profetit nga të rënit në të tillë gjë, ose shpërfill pacënueshmërinë e tij. Akoma më e shëmtuar është ajo që ka thënë Mukatil, se Profeti i shkoi Zejdit në shtëpi dhe gjeti aty Zejneben, të bardhë, të bukur, nga më të bukurat gra kurejshite, dhe ra në dashuri me të. Duke u larguar, ai tha: “I Lartësuar është Ai që lëviz zemrat”, fjalë të cilat Zejnebi i dëgjoi dhe ia përmendi Zejdit kur u kthye. Zejdi e kuptoi situatën dhe i tha Profetit: “O i Dërguari i Allahut, më lejo që ta divorcoj, ajo është kryelartë, mbahet me të madh dhe më lëndon me fjalët e saj.”

Shejh Ibën Bazi ka thënë: “Për sa u përket transmetimeve se Profeti e pa Zejneben nga prapa perdes dhe i lindi dashuri në zemër, të cilën e mori vesh Zejdi dhe për këtë arsye i dha përparësi Profetit duke e divorcuar që ai të martohej me të pas tij, të gjitha këto nuk janë transmetuar me zinxhirë të pandërprerë dhe të pacënueshëm transmetuesish. Misioni i lartë, karakteri i virtytshëm, sjelljet fisnike dhe gradat e larta bëjnë që Profetët të qëndrojnë mbi mundësinë që atyre t’u ndodhin të tilla gjëra. Pastaj, ishte Profeti ai që i propozoi Zejnebes të martohej me Zejdin, e nëse ai do të kishte qenë i lidhur pas Zejnebes do ta kishte preferuar për veten e tij që në fillim.”

Dijetarë dhe mendimtarë të tjerë kanë shkuar edhe më larg, duke “fajësuar” komentuesit e shekujve të parë të Islamit se u kanë dhënë një mjet në dorë orientalistëve me transmetimet që tregojnë për dashurinë e Profetit ndaj Zejnebes.

Muhammed es-Sabuni shkruan: “Disa kundërshtarë të Islamit kapen pas disa transmetimeve të dobëta të paqena, të cilat gjenden në disa libra tefsiri, për të sulmuar Profetin e nderuar dhe cënuar pozitën e tij të lartë. Prej këtyre transmetimeve të pavërteta, të cilën e kanë mbërthyer orientalistët, është ajo ku Profeti ka parë Zejneben, kur ajo ishte e martuar me Zejdin, duke rënë në dashuri me të dhe ka thënë “I Lartësuar është Ai që lëviz zemrat”, fjalë të cilat Zejnebi i ka dëgjuar dhe ia ka thënë Zejdit. Këto transmetime janë të gënjeshtërta dhe asnjë prej tyre nuk është i saktë, dhe po ashtu ajeti është i qartë në kundërshtimin e kësaj shpifjeje, sepse Allahu i Lartësuar lajmëron se Ai do zbulojë atë që fshehu Profeti. Çfarë zbuloi Allahu? A zbuloi dashurinë e Profetit për Zejnebin, apo urdhrin e Tij për martesën e Profetit me të, për një urtësi shumë të madhe siç ishte zhvleftësimi i birësimit, ashtu siç e lajmëroi atë Allahu i

Lartësuar publikisht, në mënyrë që besimtarët të mos kishin siklet të martoheshin me ish-gratë e bijve të adoptuar? Larg qoftë që zemra e Profetit të pastër dhe të nderuar të lidhet pas një gruaje të martuar, dhe ta fshehë këtë dashuri derisa të zbresë Kurani dhe ta qortojë për fshehjen e saj! Kjo gjë nuk i ka hije as një njeriu të zakonshëm, jo më krijesës më fisnike!”

Ndërsa Dr. Abdul-Uahab et-Turajri thotë: “Historia e Zejnebes është e preferuara e orientalistëve dhe është qartësisht e pavërtetë. Ajo është e pabazë dhe vjen me një zinxhir transmetimi që as ia vlen të përmendet. Sigurisht, orientalistët dhe kundërshtarët e tjerë të Islamit e riprodhojnë me gëzim këtë histori që të kenë baltë për të hedhur mbi Profetin. Ata nuk përmendin që historisë i mungon autenticiteti, por thjesht e përmendin atë si të mirëqenë.

Përtej të gjitha transmetimeve dhe komenteve që sot kemi për këtë histori, ajo që do doja të ndaj shkon përtej arsyeve që kanë grishur dijetarët dhe argumentuesit nga njëra anë, si dhe orientalistët dhe kundërshtarët nga ana tjetër të merren me të. Çfarë në fakt humbasim duke u marrë me këtë anë njerëzore analitike, është se ikim dhe ç’fokusohemi nga ajo gjë që duhet të karakterizojë vetëdijen e gjykimit.

Duke dashur të argumentojmë të vështirën dhe atë çfarë nënkuptohet përtej rreshtave, humbasim në “të harruarit” e Të Përhershmit, Atij me lejen dhe dijeninë e Të Cilit marrin rrugë të gjitha ndodhitë. Pra, teksa analizohet se çfarë fshehu në ndjenjë apo në dije Profeti a.s., lihet mënjanë ligjësia që iu inkorporua së drejtës familjare islame me anë të kësaj historie. A i sforcoi Zoti njerëzit duke dashur të vendosë ligjësitë e Tij? Pa dyshim që jo, dhe s’mund të bënte padrejtësi, t’i sforconte, t’i sprovonte në thelbin e nefsit, në thelbin e krenarisë, të asaj që është njerëzore, që Ai vetë e ka krijuar dhe që Ai e di më së miri se ekziston, e për shkak të së cilës nuk e vendos njeriun në kundërthënie me vetveten.

Merjem u turpërua prej shtatzanisë së saj të pashpjegueshme dhe donte të ishte e vdekur nga turpi që ndjente, siç u turpërua Profeti që do t’i duhej të martohej me ish gruan e djalit të adoptuar, pikërisht për të thënë se fëmija i adoptuar nuk është i njëjtë me atë të gjakut. Edhe Merjem edhe Profeti i deshën pasojat që ju erdhën, megjithëse nëpërmjet sikletit e turpërimit, ishte Allahu që i bëri të dashura këto pasoja për ta, sepse ai është Zot i Drejtë. Merjem e deshi fëmijën e saj të bekuar, të lindur pa baba dhe statusin e saj të nderuar për të gjithë kohët, siç e deshi Profeti a.s. Zejneben dhe martesën me të. Musai e ka patur të vështirë t’i kundërvihet njeriut që e rriti, e po ashtu Jakubi të bënte durim me sjelljen e të bijve.

Nëpërmjet sprovimit të njerëzve të Tij më të dashur, Zoti i ngriti në gradat më të larta pasi tejkaluan vështirësitë e marrëdhënieve që i lidhnin me njerëzit dhe realizuan atë për të cilën ishin zgjedhur të vinin në këtë botë. Ështe prej dashamirësisë së Tij që në vendosjen e një ligji të së drejtës familjare islame mbi statusin e një fëmije të adoptuar, apo mbi vetë institucionin e adoptimit dhe kuptimin e tij në Islam, Allahu të zgjidhte prej përcaktimit të Tij situatën ideale siç vetëm Ai mund të zgjedhë: burrin që nuk dëshiron të vazhdojë martesën me gruan e tij dhe anasjelltas, një martesë në divorc e sipër, si dhe një zemër që dashurohet me gruan me të cilën do martohet për t’i mësuar botës që adoptimi nuk ia këput fëmijës lidhjet me familjen e origjinës.

Zoti ka vendosur një ligjësi: ashtu siç Musain e ruajti prej ushtarëve të faraonit dhe nëna e tij nuk u sprovua nga malli i ndarjes prej tij, po ashtu prej bujarisë dhe dashurisë së Tij e përzgjodhi Profetin të transmetonte ligjësi të reja e të vështira duke i dhënë paralelisht një histori të begatë dashurie për të mos vuajtur edhe në privatësinë e martesës. Prej dashamirësisë së Tij zgjodhi që djali i adoptuar, i cili do bëhej shembulli për vendosjen e dispozitës së re, të kishte një lidhje martesore në mbarim e sipër, që nuk do të ishte dhe nuk ka qenë burim xhelozie dhe inati. Ndërkohë që Zejdin fisnik e kishte kapluar mërzitia me bashkëshorten dhe vendosmëria për divorc, Zejnebja e nderuar u lehtësua duke mos qëndruar më gjatë në një lidhje që mund ta shtynte pafundësisht në padrejtësi ndaj të shoqit, siç edhe Zejdi shprehet për fjalët me të cilat i drejtohej ajo.

Zejneb lulëzoi nga martesa me Profetin si besimtare dhe bamirëse e madhe, pikërisht nga ato ekuilibra që me urtësinë dhe dashurinë e Tij i vendosi Zoti, gjithmonë për të sjellë një ligj mes nesh. T’i besosh ose jo çështjet e të padukshmes, të mendosh mirë në mënyrë të vazhdueshme për Allahun, ose të besosh apo të mohosh, është çështje zgjedhjeje që ndan tek e fundit besimtarin nga jobesimtari. Këta të fundit, edhe nëse nuk e pranojnë hyjnoren dhe atë që është shpallur mund të njohin njerëzoren, atë që është transmetuar nga vetë Zejdi: insistimin e Profetit në cilësinë njeriut më me autoritet në jetën e Zejdit që ai të mos divorcohej. Vendimi ishte i Zejdit dhe ky është fakt, ashtu siç është fakt dhe e sigurtë që Profetit ndjenja ndaj Zejnebes nuk i lindi në asnjë konsumim të ndaluar veçimi me të. Ndjenja ishte bashkëshoqëruese e zbritjes së ligjit, për t’ia lehtësuar zbatimin e tij mbi veten, dhe për t’ia bërë zemrën të qëndrueshme në rrugën e profetësisë.

Shpërndaje