Drejtësinë, përpara bamirësisë

Nxitja e muslimanëve nga ana e udhëheqësve të jetës fetare në Shqipëri për t’u përfshirë në aktet e bamirësisë është shndërruar në një tipar identifikues të fesë vetë. Aq është ngulitur kjo praktikë shoqërore në ligjërimin fetar dhe në tërësinë e marrëdhënieve që komuniteti i muslimanëve shqiptarë ndërton e zhvillon me pjesën tjetër të popullsisë, saqë ajo sugjerohet si tregues i vërtetësisë së fesë sipas supozimit se besimi i pastër dëshmohet nga veprat.

Bamirësia, me gjithë përmasën e saj të dhembshurisë dhe të përzotshmërisë, mund të shërbejë edhe si një instrument i lehtësimit, pra tolerimit, të padrejtësisë që shkakton një qeverisje e korruptuar dhe shtresë shoqërore e pasuruar përmes praktikash të paligjshme ekonomike. Duke zbutur dita ditës vuajtjet e shtresave të shtypura e të varfra, bamirësia bëhet kështu një garanci shtesë për jetëgjatësinë e status quo-së së padrejtësisë.

Pushtetarët e korruptuar kanë, në këtë mënyrë, një ndihmesë për të shmangur përgjegjësinë publike, ndërsa të pasurit e pasuruar përmes rrugëve korruptive dhe kriminale, gjejnë nëpërmjet përfshirjes në veprat bamirëse një justifikim përpara ndërgjegjes së tyre për të keqen që mund të kenë shkaktuar gjatë përvetësimit të asaj pasurie. Për fat të keq, bamirësia, kjo vepër e lëvduar nga Allahu dhe Profeti ﷺ mund të shërbejë, pra, si mbulim i të keqes dhe ndihmëse e saj.

Lëmosha është një prej mënyrave të shprehjes së bamirësisë dhe dhembshurisë. Nëse drejtësia përcakton dhënien çdokujt atë që i takon, lëmosha nënkupton bërjen mirë edhe kur bamirësia nuk është e obligueshme sipas parimit të drejtësisë. Por, përpara se të kërkohet dhënia lëmoshë dikujt në vështirësi, duhet të jenë bërë përpjekjet e duhura për largimin e vështirësisë nëpërmjet vendosjes së drejtësisë.

Ajeti 90 i sures Nahl thekson përparësinë e vendosjes së drejtësisë ndaj kryerjes së bamirësisë, duke e shprehur këtë parim në formën e urdhërit nga ana e Zotit:

“Pa dyshim, Allahu urdhëron për drejtësi dhe bamirësi.”

Ibën Kethiri është i mendimit se në këtë ajet Zoti i Lartësuar “i ka urdhëruar robërit e Tij që të veprojnë sipas drejtësisë dhe i ka nxitur në kryerjen e bamirësisë.” Kurse Kurtubiju thotë se “drejtësia përmbledh çdo dispozitë teologjike dhe juridike që mundëson çuarjen në vend të së drejtës, largimit të padrejtësisë dhe dhënien çdokujt atë që i takon. Ndërsa bamirësia nënkupton kryerjen e çdo veprimi plotësues të pëlqyeshëm.”

Sipas kuptimit të ajetit kuranor, drejtësia është detyrim të vihet në vend, kurse bamirësia është e pëlqyeshme dhe e lavdërueshme. Drejtësia ka përparësi ndaj bamirësisë, sepse veprimet e detyrueshme janë të obligueshme të zbatohen. Mungesa e zbatimit të detyrimeve e ngarkon me mëkat muslimanin, ndërsa moskryerja e veprimeve të pëlqyeshme nuk e rëndon ndërgjegjen e tij. Veprimet e pëlqyeshme nuk mundet kurrsesi të zëvendësojnë ato që janë të detyrueshme, prandaj bamirësia asnjëherë nuk mund të kompensojë dëmin e shkaktuar shtresave të nëpërkëmbura nga mungesa e drejtësisë shoqërore. Kjo sepse drejtësia largon rrënjën e fenomenit negativ, ndërsa bamirësia vetëm sa lehtëson pasojën që ai ka shkaktuar.

Muslimanët e kanë detyrim të përpiqen për drejtësi, si kur kanë pushtet politik, edhe kur nuk e zotërojnë atë. Nëse në situatën e parë ata duhet ta vendosin drejtësinë, në situatën e dytë duhet të urdhërojnë të tjerët t’i përmbahen asaj. Ajetet e zbritura në Mekë, kur muslimanët ishin një pakicë e persekutuar nga shoqëria, të cilat urdhërojnë mbajtjen e drejtësisë nga ana e individëve me pushtet, janë argument i burimit kuranor të kësaj fryme. Ato dëshmojnë se muslimanët nuk mund të jenë të pavëmendshëm dhe mospërfillës ndaj padrejtësive shoqërore në vendin ku jetojnë, edhe nëse janë pakicë, pa pushtet politik, e madje të persekutuar. Ata duhet të përpiqen për vendosjen e drejtësisë, megjithëse përfituesit e saj mund të jenë edhe jomuslimanët. Drejtësia nuk i takon vetëm besimtarëve, por çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimit që ka.

Tradita islame e përpjekjes për drejtësi, kur muslimanët (praktikantë) janë një pakicë në popullin e tyre dhe pa pushtet politik, është traditë e gjithë Profetëve. Kështu, Profeti Shu’aib i drejtohet popullit të tij, të cilin po e ftonte për të njësuar Zotin në besim, me fjalët: “O populli im, robërojuni Allahut se nuk keni zot tjetër përveç Tij.

Mos matni dhe mos peshoni mangut, unë ju shoh duke jetuar mirë, prandaj kam frikë mos ju zë dënimi i një dite që do t’ju përfshijë të gjithëve. O populli im, matni e peshoni me drejtësi, jepuni njerëzve atë që u përket dhe mos përhapni korruptim në tokë” (Hud 11, 84-85). Në të njëjtën frymë, Profeti Muhamed ﷺ kumtoi në Mekë ajetet e para të sures Rahman: “Ai lartësoi qiellin dhe përcaktoi drejtpeshimin, në mënyrë që të mos bëni padrejtësi në peshim. Prandaj, mbajeni peshimin me drejtësi dhe mos lini mangët në drejtpeshim” (Er-Rahman 55, 7-9).

Në qendër të urdhërimit për drejtësi në ajetet mekase është drejtësia ekonomike, e cila është në themel të mirëqenies së shoqërisë. Me vendosjen e saj, format denigruese të përuljes së dinjitetit dhe të robërimit të njeriut ndaj njeriut zhduken. Të çliruar nga ngushtica frymëmarrëse e padrejtësisë ekonomike, njerëzit e kanë më të lehtë të meditojnë për shpalljen hyjnore dhe të vlerësojnë vërtetësinë e saj.

Përveç urdhërimit për drejtësi nëpërmjet shpalljes, Profeti ﷺ ka dhënë edhe kontributin e tij me veprime individuale në vendosjen e drejtësisë gjatë periudhës mekase. Kështu Ibën Hishami transmeton se Ebu Xhehli nuk i kishte shlyer një burri nga Irashi shumën për devenë që kishte blerë. Duke qenë i huaj në Mekë, irashiju u drejtua te një grup kurejshësh në Qabe, ku ndodhej edhe Profeti ﷺ, për ndihmë. Duke dashur të vënë në pozitë të vështirë Profetin ﷺ, kurejshët e drejtuan për tek ai si njeriu që mund ta ndihmonte të merrte paratë prej Ebu Xhehlit.

Pasi irashiju i parashtroi situatën dhe nevojën që kishte, Profeti ﷺ pranoi ta ndihmonte dhe të dy u nisën për në shtëpinë e Ebu Xhehlit. Kur Profeti ﷺ trokiti në derën e tij dhe i kërkoi që t’i jipte irashijut të drejtën që i takonte, Ebu Xhehli u fut në shtëpi dhe, për çudinë e një prej kurejshëve që kishte ndjekur Profetin ﷺ për të parë çfarë do të ndodhte, u kthye me shumën që detyrohej. Kur Ebu Xhehli u shfaq në Qabe, kurejshët e pyetën me habi për sjelljen e tij, të cilën nuk e kishin dëshmuar prej tij më parë. Ai u përgjigj: “Për Allahun, sapo dëgjova të trokiturën në derë dhe zërin e tij u mbusha me tmerr. Kur hapa derën mbi kokën e tij ishte një deve mashkull, me kokë, qafë dhe dhëmbë që nuk i kisha parë kurrë në jetën time. Sikur të kisha refuzuar, do të më kishte ngrënë!”

Njerëzit kanë nevojë më shumë për drejtësi, sesa për lëmoshë, sepse drejtësia garanton dhënien e përhershme të të drejtës që bamirësia kompenson vetëm pjesërisht dhe jo rregullisht. Drejtësia nuk e përul dinjitetin njerëzor ashtu si lëmosha, e cila kërkon falënderimin e bamirësit nga ana e nevojtarit. Përpara se të nxisin besimtarët për bamirësi, hoxhallarët dhe imamllarët duhet të japin kontributin e tyre që shteti shqiptar të udhëhiqet me drejtësi.

Ashtu sikurse Profeti ﷺ në Mekë arriti me përpjekjen e tij individuale të vinte në vend drejtësinë për një individ, udhëheqësit fetarë duhet të shfrytëzojnë gjithë hapësirën ligjore dhe publike për vendosjen e drejtësisë shoqërore në vend. Demokracia ofron mundësi pafund që grupet e interesit të ndikojnë për zbatimin e drejtë të ligjeve aktuale, apo që të lobojnë nëpërmjet propozimit të ligjeve për të zbatuar politika sociale në favor të shtresave të nëpërkëmbura. Vetëm pas këtyre përpjekjeve ata mund t’u kërkojnë njerëzve të japin lëmoshë, sepse drejtësia vjen përpara bamirësisë.

Shpërndaje