Hyrje në suren Kehf

El-Kehf është një sure e vonë mekase, edhe pse një pjesë e vogël e komentuesve janë të mendimit që tetë ajetet e para janë medinase. Disa transmetime hadithesh tregojnë se leximi i dhjetë ajeteve të para të sures mbron nga sprova e Dexhalit, të njohur si Antikrishti, personazhi që Isai a.s. do të mundë në fundin e kohës. Surah përmban tri rrëfenja kryesore, atë të banorëve të shpellës (ajetet 9-26), prej së cilës ajo ka marrë edhe emrin, historinë e Musait dhe të robit misterioz të Zotit (ajetet 60-82), historinë e Dhul Karnejnit (ajetet 83-98), si dhe një shëmbëlltyrë alegorike rreth rreziqeve të shijimit të të mirave të kësaj bote pa falënderuar Zotit dhe duke lënë pas dore botën tjetër (ajetet 32-46). Surah mbyllet me risjelljen në kujtesë të pashtershmërisë së Fjalës së Zotit (ajeti 109), e ndjekur me përkujtimin se Profeti ﷺ nuk është vetëm se një njeri, të cilit i është zbritur Shpallja Hyjnore (ajeti 110).

Tri historitë kryesorë kanë të përbashkët disa elementë tematikë, përfshirë edhe atë të të marrit të udhës dhe të braktisurit të rehatisë së shtëpisë. Djelmoshat e shpellës lanë shtëpitë për t’i ikur përndjekjes fetare, Musai u nis në kërkim të robit të Zotit, për të cilin i ishte thënë se ishte më i ditur se ai vetë, ndërsa Dhul Karnejni udhëtoi nga lindja në perëndim për të vendosur sundimin e drejtë në tokë. Gjithashtu, të treja historitë kanë të bëjnë me gjendje të ndërmjetme të ekzistencës, ose thënë ndryshe me “barzakh”-un, që ka edhe kuptimin e pikëtakimit të të kundërtave, edhe të pengesës që ekziston midis tyre. Koncepti i “barzakh”-ut është përmendur në Kuran duke iu referuar pengesës midis “dy detrave”, atij me ujë të kripur dhe të ëmbël (El-Furkan 25, 53) (Er-Rahman 55, 19-20), pikë në të cilën dy ujërat përzihen për pak, por pa kaluar në anën tjetër. Barzakh-u përfaqëson gjendjen e ndërmjetme nga momenti i vdekjes deri në ditën e gjykimit, dmth periudhën e jetës së varrit. Sipas interpretimit mistik, ontologjikisht ai i referohet gjendjes së vetes kur ndodhet në sferën midis shpirtit dhe lëndës, të cilat së bashku përbëjnë qenien njerëzore. Epistemologjikisht, barzakh-u nënkupton sferën e të imagjinueshmes, e cila njihet nëpërmjet fuqisë së imagjinatës, një mënyrë të njohuri që qëndron midis perceptimit shqisor dhe arsyetimit të pastër.

Djelmoshat e shpellës, që kërkuan strehim prej përndjekjes fetare, u vunë në gjumë në shpellë për qindra vjet, dhe gjumi i tyre përfaqëson një sferë të ndërmjetme midis jetës dhe vdekjes. Musai mundi ta takonte robin misterioz të Zotit, që njihet si Profeti Khadir apo Khidr, te pika e takimit të dy detrave (ajeti 60), pikë në të cilën dy Profetët – njëri që zotëronte dijen e të dukshmes dhe tjetri dijen të asaj që nuk duket – kanë mundësinë të takohen dhe të udhëtojnë së bashku për një kohë të shkurtër. Ndërsa Dhul Karnejni, pasi udhëtoi nga lindja në perëndim, kthehet në vendin e hapur mes dy maleve, të cilin ai e mbyll, duke krijuar një pengesë për të ndalur Jexhuxh Mexhuxhët nga terrorizimi që i bënin njerëzve.

Përveç sa më lart, të trija historitë përfshijnë individë që u janë dhënë mrekulli ose fuqi të jashtëzakonshme, edhe pse ata nuk janë Profetë apo statusi i tyre profetik është i diskutueshëm (rasti i Khidrit). Djelmoshat e shpellës janë të rinj të devotshëm; megjithatë Zoti u jep atyre mbrojtje nëpërmjet një gjumi mahnitës. Khidri konsiderohet nga shumica e dijetarëve se është një Profet që Zoti i ka dhënë jetë edhe më të gjatë se disa Profetë të lashtë, si Nuhu. Por misioni i tij është i fshehtë, ndryshe nga misioni i Mesazherëve që janë urdhëruar prej Zotit ta deklarojnë publikisht Shpalljen, të përgëzojnë dhe të paralajmërojnë njerëzit. Dhul Karnejni konsiderohet të ketë qenë një sundimtar i drejtë, të cilit i ishin dhënë mundësi të jashtëzakonshme për të sunduar botën dhe që ishte i frymëzuar prej Zotit (ajeti 86). Komentuesit e kanë krahasuar atë me Sulejmanin, dhe shumica e tyre kanë qenë të mendimit se ai është Aleksandri i Madh.

* Shkëputur prej librit: The Study Quran, Chief editor: Seyyed H. Nasr.

Shpërndaje