Kurani është një libër tepër unik për sa i takon organizimit të tij strukturor. Suret nuk janë të renditura sipas rendit kronologjik apo tematikave të trajtuara. Madje edhe brenda vetë sureve të veçanta, mund të hasen shumë tema, trajtimi i të cilave kalon në mënyrë të shpejtë nga njëra tek tjetra, për t’iu kthyer sërish temave nga e para.
Në pamje të parë, një strukturë e tillë unike mund të duket sikur i mungon koherenca dhe lidhja e brendshme. Mirëpo kërkimet e bëra kohët e fundit kanë zbuluar një koherencë të sofistikuar strukturore në Kuran, e njohur si struktura unazore.
Struktura unazore është shpjeguar nga Mary Douglas në librin e saj “Thinking in Circles: An Essay on Ring Composition”. Në këto lloj strukturash duhet të ketë përputhje ndërmjet fillimit dhe fundit. Në këtë rast, struktura është një lloj rrethi, apo pasqyrimi. Kuptimi kryesor i tekstit vendoset në qendër. Gjysma e dytë pasqyron të parën sipas rendit të kundërt – psh. A, B, C, D, C’, B’, A’.
Përputhja zakonisht përfshin përsëritjen e një fjale a fraze të goditur, apo të dukshme dhe ekzistencën e një lidhjeje të qartë tematike ndërmjet dy pjesëve. Përputhja shërben për të plotësuar rrethin e për ta përmbyllur atë. Gjithashtu, pjesët e brendshme – brenda për brenda unazës – duhet të përputhen me njëra-tjetrën. E thënë me fjalë të tjera, struktura unazore është si të vendosësh një pasqyrë në mes, çka do të thotë se ajo që përmendet në gjysmën e parë, do të shërbejë si subjekt i pasqyruar në gjysmën e dytë.
Le të marrim si shembull suren Bekare, suren më të gjatë të Kuranit, e cila ka zbritur në një hark kohor prej më shumë se nëntë vjetësh. Ajo përbëhet nga 286 ajete dhe mund të ndahet në nëntë pjesë kryesore sipas tematikave apo subjekteve që parashtrohen në to (në kllapa jepen numrat e ajeteve):
A. Besimi përballë mohimit (1 – 20).
——–B. Krijimi dhe dija e Allahut (21 – 39).
—————-C. Përcjellja e urdhëresave te Bijtë e Izraelit (40 – 103).
————————D. Sprovat e Ibrahimit (104 – 141).
——————————–E. Qabja bëhet kibla e re (142 – 152).
————————D’. Sprovat e muslimanëve (153 – 177).
—————-C’. Përcjellja e sheriatit te muslimanët (178 – 253).
——–B’. Krijimi dhe dija e Allahut (254 – 284).
A’. Besimi përballë mohimit (285 – 286).
Është e rëndësishme të thuhet se mesi i sures Bekare, që përkon me ajetin 143 të saj, përmend një pikë kthese kyçe për muslimanët:
Ne ju kemi bërë një bashkësi të mesme, që të jini dëshmitarë për njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar për ju. Ne nuk e caktuam kiblën nga ktheheshe për tjetër arsye, përveçse për t’i dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit, nga ata që kthehen duke vënë majat e këmbëve nga thembrat. Kjo provë ishte vërtet e rëndë, por jo për ata që Allahu i udhëzoi.
Kjo pikë kthese ishte ndërrimi i kiblës nga Jeruzalemi drejt Mekës. Kjo ishte një sprovë e madhe për besimtarët. Dhe përmendjen e kësaj kthese të rëndësishme e gjejmë saktësisht në mesin e kësaj sureje të Kuranit. Për më tepër, ky ajet e përmban madje edhe fjalën “mes”!
Edhe ajeti Kursij, ajeti 255 i sures Bekare, shfaq po ashtu një strukturë unazore:
A. Allahu, nuk ka zot veç Tij, është I GJALLI, MBAJTËSI i gjithçkaje.
——–B. ATË NUK E KAPLON as dremitja dhe as gjumi.
—————-C. Atij i përket çfarë ka në QIEJ dhe në TOKË.
————————D. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, PËRVEÇSE me LEJEN e TIJ?
——————————–E. Ai e di çfarë ka PËRPARA dhe PAS tyre.
————————D’. Ata nuk përfshijnë asgjë prej dijes së Tij, PËRVEÇ asaj që dëshiron Ai.
—————-C’. Froni i Tij shtrihet mbi QIEJT dhe TOKËN.
——–B’. Mbrojtja e tyre nuk e LODH ATË
A’. Dhe Ai është I LARTI, MADHËSHTORI.
Vini re se si mesi i ajetit Kursij përmend fjalët “përpara” dhe “pas”, që sërish mund të jetë një tjetër aludim i pasqyrimit, i cili është karakteristikë e strukturës unazore.
Raymond Farrin, autor i punimit “Surat al-Baqarah – A Structural Analysis”, arrin në këtë përfundim në lidhje me strukturën unazore të sures Bekare:
“Në të vërtetë, kjo sure shpalos një pafundësi të mahnitshme kompozimi. Siç e kemi parë, ajo është e rregulluar në mënyrë të përpiktë e të ndërthurur, në përputhje me parimet e strukturës unazore; madje edhe gjatësitë e pjesëve harmonizohen në mënyrë perfekte me të gjithë skemën. Për më tepër, struktura e përpiktë shërben si një udhërrëfyese, duke nxjerrë në pah temat kyçe në sure. Sipas logjikës së strukturës, këto ndeshen në qendrat e unazave të veçanta dhe sidomos, në qendër të të gjithë sures. Po në qendër të saj jepen udhëzimet përkatëse për t’u drejtuar nga Meka, çka përfaqëson një provë besimi, si dhe bëhet identifikimi i muslimanëve si një bashkësi e re dhe e mesme.”
Duke patur parasysh kohëzgjatjen e zbritjes së Kuranit, do pritej që struktura e tij të ishte e çrregullt. Mirëpo një përshtypje e tillë nxjerr në pah pamjaftueshmërinë e depërtimit në strukturën e sofistikuar të Kuranit. Pas analizimit të thellë të thurjes së tij, shohim se Kurani shfaq një strukturë mahnitëse. Duke marrë në konsideratë faktin se Profeti Muhamed nuk dinte shkrim e këndim dhe nuk njihej as si poet e as si njeri i letrave, është qartazi e pamundur që ai ta ketë projektuar vetë një strukturë të tillë. Kjo është një provë e pakundërshtueshme që vërteton se burimi i Kuranit është Zoti i Plotfuqishëm.