Duke qenë se Kurani dhe hadithet flasin për konceptin e fitra-s së njeriut, nuk është një gjë e pazakontë që teologë muslimanë, pavarësisht formimit të tyre, të shfaqin interes në përcaktimin e rolit dhe të qëllimit të këtij elementi të ekzistencës njerëzore. Ibën Tejmija i ka dhënë një rëndësi të veçantë, ndoshta edhe më shumë sesa teologët e tjerë para tij, rolit të fitra-s, veçanërisht rolit të saj epistemologjik në përftimin e njohjes së Zotit.
Për Ibën Tejmijen ekziston një lidhje e pandarë, e paracaktuar nga Zoti, ndërmjet fitra-s dhe fesë Islame. Megjithatë, fitra nuk është sinonim i Islamit, pra i teologjisë dhe i ligjeve të caktuara të fesë. Ibën Tejmija thotë se fitra i shquan çështjet në mënyrë të përgjithshme, ndërsa ligjet e fesë i shpjegojnë dhe i shtjellojnë ato mbi bazën e kësaj dijeje të përgjithshme. Më saktë, fitra është dëlirësia e zemrës dhe gatishmëria e saj për ta pranuar të vërtetën në mënyrë të atillë që, nëse do të lihej në natyrshmërinë e saj e nuk do të ndotej, atëherë ajo nuk do të zgjidhte rrugë tjetër përveç Islamit.
Në një transmetim, Profeti a.s e ka krahasuar fitra-n me qumështin. Kjo përputhet plotësisht me hadithin ku thuhet se çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, për shkak se çdo fëmijë e kërkon natyrshëm qumështin dhe ka dëshirë ta pijë atë nga e ëma. Në mënyrë të ngjashme, çdo fëmijë do të ketë dëshirë ta njohë dhe t’i robërohet Zotit, për sa kohë që nuk ndodh diçka që ta pengojë nga kjo gjë.
Ibën Tejmija thotë se prania e një profeti nuk është e nevojshme për të nxjerrë në pah fitra-n, ashtu siç nuk është e nevojshme prania e ushqimit për të nxjerrë në pah urinë e njeriut. Nuk ka dyshim se prania e ushqimit mund ta ndjellë urinë, por ajo do të ekzistojë edhe në mungesë të tij. Në këtë mënyrë, edhe njohja e Zotit e dëshira për t’iu nënshtruar Atij, ekziston në shpirtin e njeriut, pavarësisht njohjes së jashtme. Është pikërisht ky monoteizmi i vërtetë, në të cilin Kurani e thërret njerëzimin. Shpallja hyjnore, – thotë Ibën Tejmija, – e ushqen fitra-n, e përforcon dhe e plotëson atë. Kështu, çdonjëri nga urdhrat e Zotit, në të vërtetë e gjithë Shpallja e Tij, e përforcon dhe e plotëson fitra-n e brendshme. Fitra dhe ligjet e fesë janë si shembulli i farës me tokën pjellore: të dy këta elementë janë të nevojshëm për muslimanin dhe të dy ata e plotësojnë dhe e ushqejnë njëri-tjetrin.
Për Ibën Tejmijen, roli epistemologjik që luan fitra, veçanërisht në njohjen e ekzistencës së Zotit, është i një rëndësie parësore. Për të, pranimi i ekzistencës së Zotit është një gjë e skalitur në fitra, ashtu siç dëshmohet nga hadithi, në të cilin thuhet se çdo fëmijë lind në fitra të pastër. Një tjetër shembull rreth këtij fakti është pohimi se ekzistenca e Zotit ishte diçka e mirëqenë për ata, të cilëve u drejtohej Kurani, prandaj nuk ishte e nevojshme që t’u vërtetohej ekzistenca e Zotit. Kjo është arsyeja, – thotë Ibën Tejmije, – se pse Allahu pyet në mënyrë retorike në Kuran: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun…?” (Surah Ibrahim 14,10)
Ekzistenca e një Krijuesi të përsosur është e ditur nga fitra dhe kjo dije është e rrënjosur, e pashmangshme dhe e qartë. Ajo nuk deduktohet, nxirret apo përftohet nëpërmjet analizimit të vetes, por ajo thjesht ekziston, e vendosur aty prej Vetë Zotit.
Për Ibën Tejmijen, fitra jo vetëm që përforcon besimin e përgjithshëm në një Zot, por edhe i tregon njeriut disa prej cilësive kryesore të Zotit. Fitra i mëson njeriut se për shkak të natyrës së përsosur të Zotit, Ai e meriton të duhet, t’i nënshtrohemi e ta adhurojmë. Ajo i mëson atij gjithashtu, cilësitë e përsosmërisë së Zotit, se Ai duhet të ketë cilësi Hyjnore të denja për Të e se Ai është Bujar e Bamirës dhe i përgjigjet lutjes së nevojtarit, e ndihmon dhe i fal prehje.
Gjithashtu, për Ibën Tejmijen, është fitra ajo që e bën njeriun të ketë dëshirë për arritjen e së vërtetës dhe që e njeh atë me bazat e moralit, të tilla si: sinqeriteti, ndershmëria dhe dashuria për të afërmit. Fitra mbart brenda saj aftësinë për ta frenuar njeriun nga gënjeshtra, si dhe dëshirën për t’ua përcjellë të vërtetën të tjerëve. Është po për këtë arsye që veprime të caktuara që lidhen me higjienën personale, përmenden në tekstet e haditheve si pjesë e fitra-s. Shpirtrat, nga natyrshmëria e tyre, janë të prirur për të dashur drejtësinë dhe të drejtët e për të urryer padrejtësinë dhe të padrejtët.
Nga ajo që u tha më lart, është e dukshme se Ibën Tejmija e sheh fitra-n si burimin kryesor të dijes rreth ekzistencës së Zotit dhe të moralit. Prandaj, fitra ka qartazi një rol kyç epistemologjik, duke i siguruar njeriut dije që gjindet bashkë me të që në lindje. Pretendimi që ngrenë disa njerëz, se fëmija lind pa ndonjë dije, i ngjashëm me një dërrasë të bardhë (tabula rasa), është një pretendim qartësisht i rremë. Dija e përcjellë nga fitra rrënjoset thellë në karakterin e njeriut dhe mbillet në shpirtin e tij. Sado që njeriu të mundohet të çlirohet nga ajo dije, ai nuk do të jetë në gjendje që ta heqë plotësisht atë nga vetja.
Fitra është vetëm njëra nga mirësitë që Zoti u ka dhuruar njerëzve. Po të ishte vetëm fitra, njerëzit do ta adhuronin e do ta donin Zotin për sa kohë që ajo nuk do t’u ndotej. Mirësia e dytë që Zoti u ka dhuruar njerëzve janë burimet e jashtme të udhëzimit, të tilla si intelekti, Profetët dhe Librat e zbritur prej Tij. Kjo është arsyeja se pse Zoti i ka dërguar Profetët me argumente të arsyeshme, me qëllim që ta kthejë sërish fitra-n në gjendjen e saj të dëlirë.