Kur elitat e një vendi bëhen ata që jetojnë në luks dhe keqbërësit

Jeta në nivel individual dhe komunitar udhëhiqet nga ligjësi universale që nuk ndryshojnë dhe as tjetërsohen me kalimin e shekujve. Ato përsëriten duke shfaqur të njëjtat përfundime sa herë ekzistojnë premisat që mund t’i shkaktojnë. Njohja e këtyre ligjësive mundëson parashikimin e pasojave që do të rrjedhin pashmangshmërisht nga veprime a qëndrime të caktuara, në mënyrë që njeriu t’i ndryshojë ato. Për këtë arsye, Zoti i nxit njerëzit që t’i njohin dhe studiojnë ligjësitë e jetës: “Shembuj jete kanë ndodhur përpara jush, prandaj udhëtoni në tokë dhe vini re si ishte fundi i atyre që përgënjeshtruan” (Al ‘Imran 3, 137). Në Kuran këto ligjësi njihen me emrin në njëjës “sunnetull-llah”, e cila përkufizohet si “mënyra që Zoti ndjek në trajtimin e njerëzve sipas qëndrimeve të tyre ndaj ligjeve dhe Profetëve të Tij.

Duke qenë e tillë, mënyra e Zotit karakterizohet nga vijimësia, pandryshueshmëria dhe gjithëpërfshirja.

Nëse ligjësitë nuk do të kishin vijimësi dhe qëndrueshmëri, apo nuk do të zbatoheshin mbi çdo individ pa dallim, nuk do të kishte kuptim përmendja e historive të popujve të mëparshëm në Kuran dhe kërkimi i nxjerrjes mësim prej tyre” (‘Abd el-Kerim Zejdan). Këto veçori të ligjësisë hyjnore dalin në pah në ajetin 43 të sures 35 Fatir: “A mos po presin të njëjtin trajtim, si të më të hershmëve?! Sepse ti nuk do të gjesh në mënyrën e Allahut zëvendësim, dhe nuk do të gjesh në mënyrën e Allahut tjetërsim.” Një prej ligjësive hyjnore më të përmendura në Kuran është ajo e shkatërrimit të popujve të mëparshëm dhe arsyeve që kanë çuar në shkatërrim. Sjelljet dhe fjalët e parisë së këtyre popujve dhe njerëzve që i kanë ndjekur jipen me detaje, ashtu sikurse planet e fshehura dhe mendimet e pashprehura. Shenjat e afrimit të shkatërrimit të një vendi janë mëkatimi i atyre që jetojnë në luks të shfrenuar dhe mbizotërimi i keqbërësve.

Zoti përmend shpesh përgjatë Kuranit se njerëzit që i bëjnë më së shumti rezistencë mesazheve të Profetëve janë anëtarët e privilegjuar të bashkësive të tyre. Ajeti 16 i sures 17 El-Isra përshkruan marrëdhënien e atyre që jetojnë në luks me të vërtetën dhe pasojat e saj për mbarë shoqërinë: “Kur dëshirojmë të shkatërrojmë një vend i urdhërojmë të pasurit e tij që jetojnë në luks për bindje, por ata i tejkalojnë kufijtë. Atëherë i vjen koha Fjalës së dënimit dhe atë vend e asgjësojmë plotësisht!” Kjo mosbindje, që përfaqëson qëndrimin e zakonshëm të kësaj shtrese të shoqërisë ndaj mesazhit profetik, shprehet dhe në ajete të tjera të Kuranit, si në ajetin 34 të sures 34 Sebe’e:

“Në çdo vend ku kemi dërguar paralajmërues, të kamurit e tij që jetonin në luks janë përgjigjur: Ne e mohojmë atë me të cilën jeni dërguar”.

Dëshirimi i shkatërrimit nga ana e Zotit në ajetin 16 të sures Isra nënkupton “afrimin e momentit të shkatërrimit të atij kombi, nga i cili nuk nuk ka mbetur më veçse pak kohë” (Ebul Kasim ez-Zemakhshari). Ai simbolizon shprehjen e Vullnetit Hyjnor për “realizimin e asaj që Zoti e ka ditur në paracaktimin e Tij 130 në lidhje me shkatërrimin e atij populli” (Fakhr ed-Din er-Razi). Fjala koresponduese në arabisht e foljes së përkthyer ‘urdhërojmë’ është “amarna”, e cila është lexuar nga disa dijetarë edhe si “am-marna”.

Sipas këtij leximi, përkthimi i fjalës është ‘u japim pushtet’, prej nga kuptimi i ajetit sipas Ibën ‘Abbasit është që Zoti “vesh me pushtet të ligjtë, të cilët mëkatojnë dhe si pasojë vendi shkatërrohet nga dënimi. Katadeh ka thënë: Nëse Allahu dëshiron ta ndreqë një popull nxjerr prej tij një reformator, nëse i dëshiron shpërbërjen nxjerr prej tij një njeri të korruptuar moralisht, e nëse dëshiron ta shkatërrojë shton numrin e atyre që jetojnë në luks” (Ibën Xherir et-Tabari). “Asgjësimi i plotë nënkupton zhdukjen e vendit me shkatërrimin e ndërtimeve për shkak të tejkalimit të kufijve nga të gjithë banorët e tij, sepse edhe njerëzit e tjerë zakonisht ndjekin rrugën e atyre që jetojnë në luks. Ka mendim se shkatërrimi i të gjithëve nuk kushtëzohet nga ekzistenca e kësaj lloj ndjekjeje, sepse Zoti ka thënë: “Ruajuni asaj sprove që nuk ka për të goditur vetëm ata që bënë padrejtësi prej jush” (El-Enfal 8, 25)” (Mahmud el-Alusi).

Përveç të kamurve që jetojnë në luks dhe në mosbindje ndaj Zotit, fenomeni tjetër që shfaqet në vendet që po ju afron dënimi është mbizotërimi në to i njerëzve të ligj: “… në të njëjtën mënyrë, i bëjmë keqbërësit e çdo qyteti që të jenë më të fuqishmit e tij dhe të thurin plane të fshehta në të” (El-En’am 6, 123). Bërja nga ana e Zotit në këtë ajet nënkupton “krijimin dhe vendosjen e ligjësive universale të të mirës dhe së keqes në çdo shoqëri” (Tahir ibën ‘Ashur). Fjala e përkthyer si ‘keqbërës’ në arabisht është “muxhrim”, e cila përftohet nga rrënja trigërmëshe xha-ra-ma që ka kuptimin e këputjes së hurmave nga pema. “Metaforikisht, kjo folje është huazuar për të treguar përvetësimin e çdo cilësie të dënueshme” (Raghib el-Isfahani). Thurja e planeve të fshehta nga ana e tyre korespondon me fjalën “mekr” në arabisht, e cila nënkupton “përdorimin e dredhive/hileve për të hutuar dhe shmangur njerëzit prej synimeve të tyre” (Raghib el-Isfahani).

Në Ditën e Gjykimit, të nënçmuarit do të fajësojnë planet e fshehta të arrogantëve si shkaktarë të përfundimit në zjarr. Arrogantët nuk ua pranojnë këtë justifikim, duke nxjerrë në pah se edhe ndjekësit e tyre kanë qenë keqbërës: “Sikur t’i shihje të padrejtët tek qëndrojnë përpara Zotit të tyre, se si ja hedhin fajin njëri-tjetrit. Të nënçmuarit do t’u thonë atyre që silleshin me arrogancë: “Sikur të mos ishit ju, ne do të ishim besimtarë.” Arrogantët do t’u përgjigjen të nënçmuarve: “A mos ne ju penguam nga udhëzimi pasi ju erdhi?! Përkundrazi, ju ishit keqbërës!” Të nënçmuarit do t’ua kthejnë arrogantëve: “Nuk është kështu, ju thurnit plane të fshehta natën edhe ditën, teksa na urdhëronit të mohonim Allahun dhe të konsideronim të tjerë si të barabartë me Të.” Ata do ta mbajnë përbrenda keqardhjen kur të shohin dënimin dhe prangat do t’i vendosim në qafat e atyre që mohuan. A nuk po vlerësohen përveçse për çfarë kanë bërë?!” (Es-Sebe’e 34, 31-33).

Njohja e ligjësive që përkufizojnë dhe parathonë shpërbërjen ose shkatërrimin e një populli nuk është një domosdoshmëri që u përkiste vetëm popujve të hershëm. Veprimi i ligjësive të tilla është i përhershëm dhe i pandryshuar: është mënyra që ndjek Zoti për të trajtuar qëndrimin e popujve ndaj parimeve të drejtësisë dhe vërtetësisë. Identifikimi i shenjave që paralajmërojnë zbatimin e këtyre ligjeve mbi një bashkësi apo popull është një domosdoshmëri e ngutshme, veçanërisht kur ato shfaqen në mënyrë agresive. Përdorimi nga elitat i mjeteve të gjithëfarllojshme të komunikimit për të 131 shpërqëndruar vëmendjen e masave të gjera nga e vërteta e shfaqjes së këtyre shenjave është në vetvete një shenjë për afrimin e zbatimit të ligjësive të përmendura më lart.

Shpërndaje