Kur mungon bashkësia e muslimanëve

Qeniet njerëzore janë krijuar me prirjen natyrore që të formojnë dhe jetojnë në bashkësi me të tjerët. Roli themelor i bashkësisë është ofrimi i mjedisit të domosdoshëm të edukimit të pjesëtarëve të saj dhe mbrojtjes së kuadrit të përbashkët të vlerave.

Shprehja angleze “duhet një fshat për të edukuar një fëmijë” ka si premisë pikërisht këtë funksion themelor të bashkësisë. Në kohë krizash, urtësia kolektive e bashkësisë dhe fuqia e saj për të mbajtur peshën e detyrimeve apo penguar depërtimin e shfytyrimit moral e bën atë mekanizmin e vetëm që shpërfaq udhëzimin për të cilin individët kanë nevojë dhe përfaqësimin më të mirë të aspiratës së tyre morale e shpirtërore.

Ngjarja e mbylljes së xhamisë së Et’hem Beut, objektit të kultit simbol për muslimanët, është një rast i mirë për të hapur diskutimin mbi ekzistencën ose jo të një bashkësie të vërtetë të muslimanëve. Mbështetur në burimet e sheriatit, dijetarët kanë zhvilluar përkufizimin e bashkësisë së muslimanëve, përkufizim që na ndihmon t’u përgjigjemi pyetjeve: A u shfaqën muslimanët si një bashkësi në rastin e mbylljes së xhamisë? A ekziston tek ne një bashkësi e tillë? Çfarë efektesh mbart përgjigja negative ndaj këtyre pyetjeve?

Rëndësinë e bashkësisë Zoti e ka theksuar me forcë në Kuran, teksa e ka cilësuar bashkësinë e besimtarëve si litarin e zgjatur prej Tij në ajetin 103 të sures Ali ‘Imran:

“Kapuni të bashkuar pas litarit të Allahut dhe mos u përçani”.

Sipas Imam Tabariut, Zoti i urdhëron në këtë ajet besimtarët që të kapen pas fesë me të cilën i ka pajisur dhe që t’i përmbahen zotimit se do të qëndrojnë të bashkuar në përmbushjen e së vërtetës e të dorëzuar ndaj urdhrit të Tij. Ndërsa fraza “litari i Allahut” mbart mes të tjerash kuptimet e bashkësisë së besimtarëve, Kuranit dhe sinqeritetit vetëm për Allahun.

Për shkak të peshës së bashkësisë në jetën fetare të besimtarit, mundësia e zvetënimit dhe shuarjes së bashkësisë së muslimanëve i ka munduar që herët edhe shokët e Profetit ﷺ. Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Hudhejfe bin el-Jeman tregon këtë bashkëbisedim të tijin me Profetin ﷺ:
“Njerëzit e kishin zakon ta pyesnin të Dërguarin e Allahut ﷺ për kohët e mira, ndërsa unë e kisha zakon ta pyesja për kohët e këqija, nga frika se mos më kapnin. Një ditë e pyeta:

  • O i Dërguari i Allahut, ne ishim pa dyshim në injorancë dhe në të keqe kur Allahu na erdhi me këtë të mirë. A do të ketë pas kësaj epoke të mirë kohë të këqija?
  • Po.
  • A do të ketë pas kësaj periudhe të keqe kohë të mira?
  • Po, por do të jetë e përzier me korruptim zemrash. Do të dalin njerëz që do të ndjekin traditë tjetër nga e imja dhe nuk do të udhëzojnë sipas udhëzimit tim. Do të shohësh tek ata si punët e mira, edhe të këqijat.
  • A do të ketë pas kësaj periudhe të mirë kohë të keqe?
  • Po, thirrës që qëndrojnë në dyert e zjarrit. Kushdo që i përgjigjet thirrjes së tyre, do ta hedhin në zjarr.
  • O i Dërguari i Allahut, përshkruaji ata për ne!
  • Po, janë njerëz që do të kenë të njëjtën ngjyrë të lëkurës dhe të njëjtën gjuhë me ne.
  • O i Dërguari i Allahut, çfarë të bëj nëse më kap ajo kohë?
  • Qëndro afër bashkësisë së muslimanëve dhe udhëheqësit të tyre.
  • Po nëse muslimanët nuk do të kenë as bashkësi dhe as udhëheqës?
  • Veçohu prej atyre grupacioneve, të gjithave, edhe sikur të të duhet të kapesh me dhëmbë pas rrënjëve të pemës, derisa të të kapë vdekja ndërkohë që ti vazhdon të jesh në atë gjendje.”

Sa i takon përkufizimit dhe identifikimit të bashkësisë së muslimanëve, qëndrimi pranë së cilës është i detyrueshëm sipas hadithit, Ibën Haxhar el-’Askalani citon Imam Tabariun se ka thënë: “Dijetarët nuk kanë patur mendim unanim se çfarë nënkupton bashkësia. Disa kanë thënë se atë e përbën grupi më i madh i muslimanëve.

Të tjerë kanë qenë të mendimit se ajo përfaqësohet nga shokët e Profetit ﷺ. Të tjerë kanë thënë se bashkësinë e muslimanëve e përbëjnë dijetarët, sepse Zoti i ka bërë gjykimet e tyre argument për njerëzit, të cilët i ndjekin për çështjet e fesë.” Ndërsa Imam Shatibiu ka qenë i mendimit se “bashkësia e përmendur në hadithet e Profetit ﷺ i referohet bashkimit të njerëzve rreth atij udhëheqësi (imami) që drejton në përputhje me Kuranin dhe traditën profetike.”

Shejh Muhamed esh-Shinkiti, një prej dijetarëve anëtarë të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë, thotë se: “Këto përkufizime nuk ndalojnë që hadithi të ketë vazhdimësi në zbatim. Bashkësia e muslimanëve do të jetë ajo që aspiron lartësimin e fjalës së Allahut dhe përforcimin e fesë së Tij, shpalosjen e argumenteve të fesë ndaj njerëzve nëpërmjet urdhërimit për tek e mira dhe frenimit nga e keqja, vendosjen e kufijve të fesë, daljen në krah të dobtëve dhe largimin e padrejtësive.

Kjo është bashkësia e muslimanëve, e cila duhet të plotësojë disa kushte. Disa prej tyre janë: Kërkimi i gjykimit prej Librit të Allahut dhe traditës së Profetit të Tij, të vepruarit në mënyrë të disiplinuar dhe të organizuar, të mos rënit në konfliktualitet dhe përçarje, si dhe vendosja e lartësimit të fjalës së Allahut dhe përforcimit të fesë së Tij përpara interesave vetjake të bashkësisë. Kjo është bashkësia e vërtetë e muslimanëve.”

Edhe kur një bashkësi e tillë besimtarësh mungon, bashkësia mund të gjendet edhe brenda vetes, atëherë kur muslimani është i kapur pas së vërtetës. Shejh Ibën Bazi thotë: “Nëse muslimani nuk gjen bashkësi për t’ju bashkëngjitur, atëherë ai kapet pas së vërtetës dhe është ai që përfaqëson të vërtetën, edhe nëse është i vetëm, sepse Ibën Mes’udi ka thënë: “Bashkësia përbëhet nga ai që qëndron në përputhje me të vërtetën, edhe nëse është një njeri i vetëm.”

Në lidhje me thirrësit për në zjarr, Profeti ﷺ ka thënë se ata do të kenë të njëjtën ngjyrë të lëkurës dhe të njëjtën gjuhë me ne. Ibën Haxhar el-‘Askalani thotë në komentimin e hadithit: “Kjo nënkupton se ata janë prej popullit tonë, kanë të njëjtën gjuhë dhe fé si tonën. Në anën e dukshme, që përfaqësohet nga lëkura, do të kene fenë tonë, ndërkohë që në brendësi bien ndesh me të.

Në mesin e tyre do të ketë njerëz me zemra shejtanësh që gjenden brenda trupash humanë – thuhet në një transmetim tjetër të hadithit.”
Këta njerëz janë cilësuar se qëndrojne në dyert e zjarrit “për shkak të përfundimit të tyre” – thotë Mulla ‘Ali el-Qari, ose “duke marrë në konsideratë se cili është përfundimi i gjendjes së tyre” – thotë Ibën Haxhar el-‘Askalani.

Dijetarët kanë parë realizimin e profecisë së këtij hadithi në dekadat e para pas vdekjes së Profetit ﷺ, kur filluan të shfaqen grupacione të devijuara islame. Imam Neveviju dhe Mulla ‘Ali el-Qari kanë identifikuar khaurixhët, karamitët dhe rafidijtë si disa prej grupacioneve që ftonin për në zjarr me devijimet e tyre. Por mrekullia e këtyre fjalëve profetike shtrihet edhe në kohën tonë. Në një version tjetër të hadithit, Profeti ﷺ thotë se thirrësit e devijuar do t’i paraprijnë Dexhalit, shfaqja e të cilit është shumë më afër me kohën tonë se sa atë të shfaqjes së khauarixhëve. Kështu, ‘Abd er-Razzak transmeton se, pasi Profeti ﷺ i ka treguar Hudhejfes për kohën e paqtë me njerëz që do të kenë zemra të korruptuara, Hudhejfe bin el-Jeman e ka pyetur:

  • “Pastaj, çfarë do të ndodhë?
  • Pastaj do të ngrihen ftuesit e devijimit. Nëse atë ditë do të ketë në tokë mëkëmbës (khalife) të Allahut, atëherë qëndro pas tij, edhe sikur të të rrahë me kamzhik dhe të të marrë pasurinë, përndryshe vdis duke u kapur me dhëmbë pas rrënjëve të pemës.
  • Pastaj, çfarë do të ndodhë?
  • Pas kësaj do të dalë Dexhali, i cili do të ketë me vete një lumë dhe një zjarr. Kush do të bjerë në zjarrin e tij do të fitojë shpërblimin dhe do t’i fshihen mëkatet, kurse ai që do të bjerë në lumin e tij do ta ketë merituar mëkatin dhe do ta ketë humbur shpërblimin.”

Thirrësit muslimanë që qëndrojnë buzë zjarrit dhe i hedhin pasuesit e tyre në të, qofshin ata pushtetarë të korruptuar apo dijetarë të devijuar, përmenden shpesh në hadithet profetike që përshkruajnë kohët afër fundit të botës. Është tronditës fakti se Profeti ﷺ i frikësohej më shumë udhëheqësve që devijojnë muslimanët sesa vetë Dexhalit.

Ebu Dheri tregon në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmedi se, ndërsa ishte duke ecur me Profetin ﷺ, ai tha: “Nuk është Dexhali ai të cilit i frikësohem më shumë për popullin tim”. Pasi e përsëriti këtë fjali tri herë, Ebu Dheri e pyet: “O i Dërguari i Allahut, çfarë është ajo gjë së cilës i frikësohesh më shumë se sa Dexhali për popullin tënd?!” Profeti ﷺ përgjigj: “Imamllarëve devijues.” Shejh Muhamed el-Munexhid thotë se Profeti ﷺ i është referuar në këtë hadith “udhëheqësve që devijojnë njerëzit nga rruga e Zotit, qofshin ata pushtetarë të korruptuar, dijetarë të pacipë, apo adhurues të Zotit të paditur.”

Dalja në krye të muslimanëve e udhëheqësve fetarë të devijuar është konfirmuar edhe në hadithin e mirënjohur të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, në të cilin Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk ka dyshim se Allahu nuk do ta largojë dijen nëpërmjet shkuljes, duke e shkulur atë prej njerëzve, por do ta largojë dijen nëpërmjet vdekjes së dijetarëve. Kur të mos kenë mbetur më dijetarë, njerëzit do të bëjnë kryetarë të tyre të paditurit, të cilët, kur të pyeten, do të japin mendim pa patur dije. Kështu, do të devijojnë vetë, e do të devijojnë edhe të tjerët.”

Përfundimi që mund të nxirret nga hadithet e lartpërmendura është se, në kohën kur mungon një bashkësi e vërtetë muslimanësh, besimtari duhet të bëjë kujdes nga grupacionet e ndryshme të muslimanëve që formohen në mungesë të kësaj bashkësie.

Profeti ﷺ ka qenë i qartë në fjalët e tij: do të ketë grupe muslimanësh, me të njëjtën gjuhë dhe lëkurë si tonën, të cilët ftojnë në Islam, por në të vërtetë ftojnë për në zjarr. Jo se ata ftojnë drejtpërdrejt për në zjarr, por për shkak të devijimit të tyre, përfundimi i atyre që do t’i ndjekin është zjarri. Në një kohë të tillë, leximi dhe thellimi në dijen fetare është rruga më e mirë për të bërë dallimin e duhur.

Mbyllja e xhamisë në 50-vjetorin e ndalimit zyrtar të fesë në Shqipëri ishte reminishencë e sistemit diktatorial komunist, kur xhamia e Et’hem Beut u reduktua në një monument kulture. Historia jonë e afërt dëshmon rekordin famëkeq të ndalimit të praktikimit të riteve dhe shfaqjes së simboleve fetare në publik.

Hoxhallarët, imamllarët dhe drejtuesit e jetës fetare në vend duhet të jenë të vetëdijshëm se ndalimi i plotë i fesë në Shqipëri erdhi gradualisht përgjatë një periudhë 23-vjeçare. Mosreagimi i duhur i udhëheqësve fetarë të fundviteve ‘40 karshi masave represive të regjimit totalitar ndaj shfaqjes në publik të simboleve dhe praktikave fetare ishin pararendëse të ndalimit të plotë të fesë në vitin 1967. Heshtja dhe mosreagimi i duhur ndaj reduktimit në një monument kulture të xhamisë së Et’hem Beut, qoftë edhe për një ditë, ishte një shenjë se historia mund të përsëritet.

Muslimanët që nuk i dolën në mbrojtje xhamisë së Et’hem Beut kur u mbyll nga autoritetet shtetërore dhe ata të tjerë që nuk reaguan publikisht kundër mbylljes së saj dhe e kaluan në heshtje këtë akt të rëndë, nuk mund të jenë përfaqësuesit e bashkësisë së vërtetë muslimane. Këto grupe nuk i përmbushin kushtet që duhet të ketë një bashkësi e muslimanëve, të përmendura më lart nga dijetarët. Ata vunë interesat e ngushta të organizimit ku bëjnë pjesë, apo interesat vetjake, mbi interesat e gjera të muslimanëve dhe të fesë në vend. Gjykimi i historisë ka qenë i ashpër me ata që nuk kanë lexuar si duhet dhe në kohë shenjat e Zotit.

Shpërndaje