Kush është Dhul-Karnejni i përmendur në Kuran?

Në ajetet 83-98 të sures Kehf, Zoti i Lartësuar tregon historinë e sundimtarit që mbante titullin e Dhul-Karnejnit – Zotëruesit të Dy Brirëve – sundimi i të cilit u shtri nga Perëndimi (ajeti 86) deri në Lindje (ajeti 90). Zoti “ia bëri të lehtë udhëtimin në tokë dhe i dhuroi mjetet për të arritur çdo gjë që dëshironte” (Xhelal ed-Din es-Sujuti). Dhul-Karnejni ishte një sundimtar “që e donte Zotin dhe Zoti e deshi atë, e që i urdhëroi njerëzit t’i druheshin Atij. Sa i takon titullit të Zotëruesit të Dy Brirëve, “disa dijetarë kanë qenë të mendimit se ai e mbante për shkak të sundimit të tij mbi “Rum”-ët (vendet e Perëndimit) dhe Persinë, (Ibën Xherir et-Tabari), apo të zotërimit të Lindjes dhe Perëndimit (Nasir ed-Din el-Bejdauij), ose sepse kishte dy gërsheta flokësh në formë briri (‘Abd er-Rahman eth-The’alebij), ose sepse në kokën e tij kishte dy brirë. Disa të tjerë kanë thënë se pasi u godit në një nga brirët e tij dhe vdiq, Zoti e ringjalli, derisa e goditën në bririn tjetër dhe vdiq përsëri” (Ibën Xherir et-Tabari).

Shumica e komentuesve të hershëm të Kuranit kanë qenë të mendimit se Dhul-Karnejni është Aleksandri i Madh, i njohur ndryshe si Aleksandri i Maqedonisë, i cili ka jetuar në vitet 356–323 përpara erës sonë (p.e.s.). “Ai lindi në vitin 356 p.e.s. në Maqedoni, prej Filipit II dhe Olimpias. Nga mosha 13 deri në 16 vjeç ai u mësua prej Aristotelit, i cili i frymëzoi atij interesin për filozofinë, mjekësinë dhe hulumtimin shkencor. Por Aleksandri do të përparonte përtej mendimit të ngushtë të mësuesit të tij se jo-Grekët duhet të trajtoheshin si skllevër. Në moshën 20 vjeçare, pas vrasjes së Filipit, Aleksandri mori pushtetin pa hasur në kundërshti dhe i mbështetur nga ushtria. Në pranverën e vitit 334 p.e.s. ai marshoi drejt Persisë. Pasi vizitoi Trojën, ai u ndesh me ushtrinë Perse pranë detit të Marmarasë dhe e mundi atë. Në dimrin e vitit 334–333 p.e.s. Aleksandri pushtoi Azinë e Vogël. Në Nëntor 332 p.e.s. ai mbërriti në Egjipt, ku themeloi qytetin e Aleksandrisë, pranë degës perëndimore të lumit Nil. Pushtimi i Egjiptit plotësoi dhe kontrollin e tij të plotë mbi bregun lindor të Mesdheut. Në Korrik 331 p.e.s. Aleksandri pushtoi Babiloninë, ndërsa gjatë vitit 330 p.e.s. ai përparoi në Azinë Qendrore, derisa në vitin 328 p.e.s. arriti në skajin lindor të Perandorisë Perse. Në vitin 326 Aleksandri pushtoi Indinë, për të vdekur në Qershor 323 p.e.s. në Babiloni, në moshën 33 vjeçare dhe pas 13 vjetësh në pushtet.

Aleksandri është një nga gjeneralët më të mëdhenj që ka njohur bota. Ai ka treguar një shkathtësi të pazakontë si në kombinimin e llojeve të ndryshme të armëve, ashtu edhe në përshtatjen e taktikave të tij luftarake ndaj sfidave të kundërshtarëve që zotëronin mjete të reja luftimi. Mbretërimi i shkurtër i Aleksandrit përbën një moment vendimtar për historinë e Europës dhe Azisë. Ekspeditat dhe interesi i tij personal ndaj hulumtimit shkencor sollën shumë përparime në dijet mbi gjeografinë dhe natyrën. Karriera e tij u bë shkak për bartjen në Lindje të qendrave civilizuese dhe krijimin, nga ana ekonomike dhe kulturore, të një bote të vetme që shtrihej nga Gjibraltari deri në Punxhab të Indisë”. (Encyclopaedia Britannica).

Gjithë komentuesit e rëndësishëm të Kuranit kanë qenë të mendimit se emri i vërtetë i sundimtarit me titullin Dhul-Karnejn është Aleksandër, ndonëse kanë patur mendime të ndryshme se për cilin Aleksandër bëhet fjalë. Ibën Xherir et-Tabariu mendon se ai ka qenë Aleksandri i Madh, dhe në mbështetje të këtij mendimi transmeton nga ‘Ukba bin ‘Amir, bashkë me Xhelal ed-Din es-Sujutin, se ka thënë që një ditë, teksa ishte në shërbim të Profetit ﷺ dhe doli prej shtëpisë së tij, ndeshi në disa ithtarë të Librit që i thanë: “Dëshirojmë të pyesim per diçka Profetin, prandaj na fut tek ai”. Kur hynë, Profeti ﷺ u tha: “Nëse dëshironi, ju tregoj për atë që keni ardhur të më pyesni, pa folur ju, e nëse dëshironi flisni përpara se të t’u tregoj unë”. Ata u përgjigjën: “Jo, na trego ti”. Atëherë Profeti ﷺ tha: “Keni ardhur të më pyesni për Dhul-Karnejnin, një djalosh nga “Rum”-ët që iu dha mbretërimi, i cili përparoi derisa arriti në bregun e tokës së Egjiptit, ku ndërtoi një qytet që i thonë: Aleksandri. Kur e mbaroi së ndërtuari, Allahu i Madhëruar dërgoi një engjëll që e ngriti në qiell dhe e pyeti: “Çfarë shikon”? Ai u përgjigj: “Shikoj qytetin tim dhe qytete të tjera me të”. Pastaj e ngriti më lart dhe i tha: “Shiko”! Ai ia ktheu: “Tani është përzier me qytete të tjera dhe nuk e shquaj”. Pastaj u ngrit më lart dhe engjëlli i tha: “Shiko”! Ai ia ktheu: “Shikoj vetëm qytetin tim dhe nuk shoh gjë tjetër”! Engjëlli tha: “Kjo është tërë toka, por Zoti yt dëshiroi të ta tregojë sepse të ka dhënë pushtet mbi të, prandaj ec në tokë, jepi dituri të paditurit dhe përforcoje të diturin”.

Mendimin e Tabariut, që Dhul-Karnejni ka qenë Aleksandri i Madh i Maqedonisë, e ka patur shumica e komentuesve të hershëm të Kuranit. Kështu, ‘Abd er-Rahman eth-The’alebij dhe Ebu Hajjan el-Ghranatij kanë thënë se Dhul-Karnejni është mbreti Aleksandër i Greqisë, Bejdauiju është shprehur se Dhul-Karnejni është Aleksandri i “Rum”-ëve, mbreti i Persëve dhe Romakëve, ndërsa Nidham ed-Din en-Nisaburi ka thënë se ai është Aleksandri i “Rum”-ëve, i biri i Filipit, i cili sundoi tërë botën.

Sipas Ibën Kethirit, Aleksandri i Madh nuk ka mundësi të jetë Dhul-Karnejni i përmendur në Kuran, sepse Dhul-Karnejni ishte një besimtar i devotshëm dhe mbret i drejtë, ndërsa Aleksandri i Madh ishte idhujtar. Aleksandri me titullin Dhul Karnejn ka jetuar më shumë se dymijë vjet përpara Aleksandrit të Madh, ka qenë bashkëkohës i Profetit Ibrahim, ka besuar në profecinë e tij dhe ka bërë rreth-rrotullimin e Qabes bashkë me të pas ndërtimit të saj nga ana e Profetit Ibrahim. Të njëjtin argument të Ibën Kethirit, atë të qenies së Aleksandrit të Maqedonisë idhujtar, citojnë edhe Tahir ibën ‘Ashur, Muhamed esh-Sha’arauij dhe Muhamed Tantauij prej dijetarëve të shekullit të 20-të, si arsyen e mospërkimit të tij me Dhul-Karnejnin e përmendur në Kuran.

Fakhr ed-Din er-Razi përmend tre mendime për personazhin historik që mban titullin Dhul-Karnejn. “Mendimi i parë është se ai i referohet Aleksandrit të Maqedonisë, sepse sipas dëshmisë së Kuranit, sundimi i Dhul-Karnejnit arriti në skajet e Lindjes dhe të Perëndimit dhe si i tillë, një sundim kaq i zgjeruar dhe i paprecedent, nuk ka se si të mbetej i mbuluar dhe i papërmendur në përjetësi. Gjithashtu, sundimi që përmendet në librat e historisë se ka arritur një shkallë të tillë nuk është vetëm se ai i Aleksandrit. Prandaj, përderisa në Kuran është e vërtetuar se Dhul-Karnejni sundoi gjithë tokën, ose pothuaj plotësisht atë, dhe shkenca e historisë ka provuar se ai që e arriti këtë sundim ishte Aleksandri, duhet të pranohet si e sigurt se Dhul-Karnejni është Aleksandri i Maqedonisë, i biri i Filipit. Mendimi i dytë është që Dhul-Karnejni i referohet Ebu Kerb el-Humejriut nga Jemeni, ndërsa mendimi tretë se ai ishte një sundimtar i devotshëm, i panjohur për ne, të cilit Zoti i dha pushtetin e tokës si dhe dije, urtësi e madhështi. Mendimi i parë është ai më i sakti, për shkak të argumentit që u përmend, vetëm se këtu ka një problem të madh: Aleksandri ka qenë nxënës i Aristotelit të urtë dhe ndjekës i tij, çfarë do të thotë se madhërimi që Zoti i ka bërë Dhul-Karnejnit e bën të detyrueshme të pranohet që filozofia e Aristotelit është e vërtetë dhe e saktë, çka është e pamundur”.

Nidham ed-Din en-Nisaburi i ka dhënë përgjigje problemit të shtruar nga Razi duke thënë se “jo çdo mendim i filozofëve është i pavlefshëm, e ndoshta Dhul-Karnejni mori prej tyre atë që ishte e pastër dhe la mënjanë atë që ishte e papastër”.

Siç del në pah nga parashtrimi më lart, dy arsyet që disa dijetarë nuk kanë identifikuar Aleksandrin e Madh me Dhul-Karnejnin e përmendur në suren Kehf kanë të bëjnë me të dhënat historike për mosqenien e tij besimtar monoteist dhe me konfirmimin e vlefshmërisë së filozofisë së Aristotelit nëpërmjet lavdërimit të Aleksandrit që ka qenë nxënës i tij, sepse sa i takon madhështisë së sundimit të tij, ajo përputhet me përshkrimin Kuranor. Sa i takon filozofisë së Aristotelit, Nisaburi ka theksuar se Aleksandri mund të ketë marrë të pastrën prej filozofisë së tij dhe të ketë lënë të papastrën. Për më tepër, Aleksandri i Madh e ka tejkaluar mësuesin e tij në moskonsiderimin si skllevër të jo-Grekëve, çka tregon se ai nuk ka qenë një ndjekës i verbër i filozofisë së Aristotelit. Gjithashtu, dijetarët që kanë pohuar se Dhul-Karnejni është Aleksandri i Madh, kanë qenë pa dyshim në dijeni të faktit që librat e historisë e kanë përshkruar atë si idhujtar. Në komentimet e tyre nuk haset argumentimi me dijetarët që e shohin fenë e Aleksandrit të Madh si arsyen e mospërkimit të tij me Dhul-Karnejnin, por ata ka gjasa ta kenë tejkaluar këtë problem duke bërë analogji me historinë e Profetit ‘Isa a.s. Nëse nuk do të ishte Kurani, sot do të ekzistonte vetëm historia e shtrembëruar e Isait a.s., historia e një personi që ka deklaruar se ishte edhe Profet edhe bir i Zotit, pjesë e trinisë së përbërë nga Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, që vdiq i kryqëzuar për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe që u ngjall pas vdekjes. Prandaj, nuk ka arsye përse sundimtari i përmendur ne Kuran si Dhul-Karnejni të mos ketë qenë Aleksandri i Madh, ngase historia që ekziston sot për besimin e Aleksandrit të Madh mund të jetë historia e shtrembëruar e besimit të tij të vërtetë.

Përgatiti: G. Demneri

Shpërndaje