Pasoja e robërimit prej pushtetit faraonik

Islami është fé e themeluar mbi parimin e pakompromis të teuhidit – unitetit të papërlyer të Zotit dhe hyjnishmërisë së Tij ekskluzive. Ky parim, i shprehur në formulën e dëshmisë, me të cilën njeriu bëhet musliman, veçon robërimin si një gjendje njerëzore që i dedikohet plotësisht vetëm Zotit dhe përjashton nga hyjnizimi çdo qenie apo send tjetër.

Kurani, Shkrimi i Shenjtë i Islamit, bën një kritikë të fortë ndaj idhujtarisë përmes rrugëve racionale dhe debatit të mbështetur mbi argumentat, duke refuzuar sakaq çdo shteg diskutimi që mund të përmbajë fyerje apo ofendim të idhujve.

Përmes kësaj metode, Zoti bën një dallim të prerë ndërmjet nxjerrjes në pah të rrejshmërisë së idhujve përmes argumentimit e diskutimit intelektual dhe fyerjes apo sharjes së hyjnive pagane si mënyra të qortimit të idhujtarisë. Ashtu sikundër ka theksuar parimin e pacenueshëm të teuhidit, Zoti ka ndaluar me po të njejtën fuqi të Fjalës së Shpallur fyerjen dhe përdhosjen e perëndive të ithtarëve të feve të tjera.

Është ajeti 108 i sures El-En’am që e shpreh këtë ndalesë hyjnore me fjalët:

“Mos i shani ata, të cilëve u luten përveç Allahut, që të mos shajnë Allahun nga armiqësia dhe padija”.

Ibën ‘Ashur thotë se “ky ajet i drejtohet muslimanëve, jo të Dërguarit ﷺ, sepse ai nuk përdorte as fjalë të ndyta dhe as sharje. Karakteri i tij i lartë ishte mburojë nga rënia në të tilla sjellje, ndërsa muslimanët, nga xhelozia për Islamin, ndoshta e tejkaluan kufirin duke sharë putat e idhujtarëve”.

Arsyeja e ndalimit të sharjes së idhujve është se, “sharja nuk sjell asnjë dobi fetare, sepse qëllimi i ftesës për te Zoti është argumentimi i rrejshmërisë së idhujtarisë dhe pamundësisë për idhujt që të zënë vendin e Zotit të Lartësuar.

Argumentimi bën dallimin mes atij që është me të vërtetën dhe atij që është me të pavërtetën, ndërsa sharjen ka mundësi ta kryejë si ai që ka argumentin e vërtetë, edhe ai që nuk e ka, e në këtë mënyrë shfaqen të dy si të barabartë. Madje, ai që nuk është me të vërtetën ka mundësi që, nëpërmjet paturpësisë dhe vulgaritetit të tij, të bëjë atë që nuk bën dot ai që është në të vërtetën, e kështu të duket sikur e ka mundur atë”. (Et-Tahir Ibën ‘Ashur).

Dijetarët muslimanë kanë nxjerrë një parim të artë juridik nga ky ajet, atë të bllokimit të udhëve që çojnë në mëkat, edhe pse udhët mund të mos përmbajnë mëkat në vetvete. ‘Abd er-Rrahman es-Sa’adi shkruan: “Ky ajet fisnik përmban argumentin e parimit sheriatik, i cili thotë se mënyrat e përdorura peshohen sipas pasojave që ato shkaktojnë. Prandaj, mënyrat që shpien në situata të ndaluara janë të ndaluara, edhe nëse ato janë të lejuara në vetvete, në momentin që ato çojnë për tek e keqja”.

Kurtubiju ka dalë në këtë përfundim: “Në këtë ajet ka argument për obligueshmërinë e të vepruarit sipas dispozitës së bllokimit të udhëve (që shpien për në mëkat)”, ndërsa juristi i shkollës malikite Ibën el-‘Arabi ka thënë: “Zoti ka ndaluar në Librin e Tij këdo që të kryejë një veprim të lejuar, nëpërmjet të cilit arrihet në një pasojë të ndaluar” (Et-Tahir Ibën ‘Ashur).

Parimi i bllokimit të udhëve që çojnë në mëkat është së pari i zbatueshëm në subjektin që trajton vetë ajeti. Nëse arsyeja e ndalimit të sharjes së idhujve është pasoja e shkaktuar prej saj, dmth sharja e Zotit nga ana e idhujtarëve, atëhere çdo lloj ofendimi dhe fyerjeje e idhujve, qoftë me fjalë ose veprime, është njësoj i ndaluar. Është e natyrshme dhe logjike që urinimi mbi një idhull të jetë po aq i ndaluar sa edhe sharja e tij, sepse nuk ka dyshim që urinimi mbi idhull nga besimtarët do të shkaktonte një sharje edhe më të madhe të Zotit nga ana e idhujtarëve se sa thjesht sharja e idhullit.

Nisur nga parimi juridik i përftuar prej ajetit, Kurtubiju e ka zgjeruar sferën e veprimeve që ju ndalohen besimtarëve karshi idhujve, duke mos e kufizuar vetëm te sharjet, por duke e shtrirë te çdo veprim që bëhet shkak për cënimin e shenjtërive të Islamit nga ana e idhujtarëve. Ai shkruan:

“Dijetarët kanë thënë që vlefshmëria e dispozitës së këtij ajeti për bashkësinë muslimane është e pandryshueshme, në çdo situatë. Nëse jobesimtarët janë të pushtetshëm dhe ekziston droja se mund të shajnë Islamin, Profetin ﷺ, ose Allahun e Lartësuar, atëhere muslimani e ka të palejueshme që të shajë kryqet, fenë, apo kishat e tyre, ose të kryejë veprime që mund të çojnë në atë pasojë, sepse këto veprime do të konsideroheshin si nxitëse për në mëkat.”

Nuk është e thënë që cënimi i shenjtërisë së Zotit nga ana e idhujtarëve, i përmendur në ajet si arsyeja e frenimit të besimtarëve nga të sharit e idhujve, të kufizohet vetëm në sharjen e Tij. Fakhr ed-Din er-Razi thotë se “idhujtarët mekas e pohonin ekzistencë e Zotit, e prandaj është e pamundur që ata të shanin Zotin. Është e mundur që, pasi shokët e Profetit ﷺ shanin idhujt, idhujtarët shanin Profetin ﷺ dhe Zoti i Lartësuar e konsideroi sharjen e të Dërguarit ﷺ si sharjen e Zotit të Lartësuar, në mënyrë të ngjashme me ajetin:

“Ata të cilët të japin besën ty, në të vërtetë i japin besën Allahut” (El-Fet’h 48, 10)”.

Për këtë arsye, çdo fyerje e idhujve, e cila bëhet shkak për cënimin e një shenjtërie fetare nga ana e idhujtarëve, përfshihet në veprimet e ndaluara prej ajetit.

Sigurisht, ndalimi që përmend Kutubiju nuk përfshin përpjekjet për nxjerrjen në pah të realitetit të idhujve, të realizuara nëpërmjet argumenteve, kritikës dhe qortimit të hyjnizimit të tyre nga ana e njerëzve, dhe debatit me ta.

Kurani është dëshmi e argumentimeve të Profetit Muhamed ﷺ dhe Profetëve të tjerë me popujt ku u dërguan dhe ai është kriteri për të vendosur nëse fjalë apo veprime të caktuara përbëjnë fyerje për idhujt – e prandaj myslimanët duhet t’i shmangin që idhujtarët të mos fyejnë shenjtëritë e Islamit – apo ato janë mjete legjitime të argumentimit rreth pavërtetësisë së idhujve.

Feja Islame është një fé që përputhet me mendjen e shëndoshë dhe natyrshmërinë e padevijuar njerëzore. Nëse Kurani përmban një qëndrim të pakompromis kundër robërimit ndaj çdo idhulli përveç Zotit të Vërtetë, po ashtu besimtarët urdhërohen në Kuran që të mos i fyejnë idhujt e njerëzve nëse shenjtëritë e Islamit cënohen prej idhujtarëve si rezultat i kësaj fyerjeje.

Besimtarët janë të urdhëruar në Kuran që të debatojnë në mënyrën më të mirë me jobesimtarët, të nxjerrin në pah në mënyrë të arsyetuar pavërtetësinë e idhujve të cilëve ata i robërohen dhe të kritikojnë bestytnitë e idhujtarëve dhe padobinë e praktikave të tyre idhujtare. Çdo kohë dhe çdo popull ka idhujt dhe mitet e tij. Është detyrë e muslimanëve të ditur shqiptarë të identifikojnë idhujt dhe mitet e popullit të tyre, t’i dekonstruktojnë dhe rrëzojnë ato në mënyrën më të hijshme, duke u argumentuar, jo duke ofenduar.

Shpërndaje