Teodiseja në veprimet e Khidrit

Termi ‘teodise’, i formuar nga fjalët Greke ‘theos’ – Zot, dhe ‘dike’ – drejtësi, “është përdorur për herë të parë nga filozofi Gjerman Gotfrid Lajbnic në veprën e tij ‘Essais de Theodicée’. Ky term tregon përpjekjen për të provuar se drejtësia hyjnore qëndron e paprekur nga ekzistenca e së keqes. Sipas Immanuel Kantit, me teodise nënkuptohet të mbrojturit e urtësisë supreme të Krijuesit përballë akuzës së arsyes së bazuar në gjërat që ndodhin në kundërshtim me qëllimin e duhur.

Drejtësia dhe pushteti përbëjnë dy aspektet e dilemës klasike të teodisesë, sepse ekzistenca e së keqes i vë në dyshim këto cilësi. Në zgjidhjen e saj, e keqja duhet arsyetuar në një mënyrë bindëse, pa sakrifikuar as drejtësinë e Zotit, dhe as fuqinë e tij. Filozofi Skocez Dejvid Hjum e ka përmbledhur në këtë mënyrë dilemën: A do Zoti ta ndalojë të keqen, por nuk mundet? Atëherë ai është i pafuqishëm. A ka mundësi ai, por nuk dëshiron? Atëherë, ai është i lig” (Eric Ormsby).

Problemi i ekzistencës së të keqes është një çështje që ka preokupuar jo vetëm filozofët Perëndimore, por edhe mendimtarët myslimanë më herët. Ngjashëm me filozofët Perëndimorë, “dilema e ekzistencës së të keqes është shprehur nga poeti Sirian Ebul-‘Ala el-Me’arri me fjalët: Sa i takon së keqes, Zoti ose ka dijeni për të, ose nuk ka. Nëse ka dijeni, Ai ose dëshiron që ajo të ndodhë, ose nuk dëshiron. Nëse e dëshiron, atëherë Ai është shkaktari i saj, njësoj sikurse thuhet që mbreti i preu dorën e hajdutit, edhe pse ai vetë nuk e kreu këtë veprim. Nëse Zoti nuk e dëshiron të keqen, ai po lejon të ndodhë diçka që edhe një mbret tokësor do ta ndalonte, sepse kur në mbretërinë e tij kryhet një veprim që nuk e pëlqen, mbreti e dënon dhe urdhëron ndalimin e tij. Ky është një problem, të cilin teologët janë përpjekur me fuqitë e tyre arsyetuese për ta zgjidhur, por pa rezultat” (Eric Ormsby).

Siç kuptohet nga fjalët e el-Me’arrit, “çështja e drejtësisë dhe mirësisë së Zotit i ka preokupuar teologët myslimanë po aq seriozisht sa kolegët e tyre Perëndimorë edhe pse, për arsye të ndryshme, problemi i së keqes nuk zë në teologjinë Islame vendin dominues që zë në traditën Perëndimore. Prej teologëve myslimanë më në zë që janë marrë me këtë çështje mund të përmenden Ebu Hamid el-Ghazali në shekullin e 12, Ibën Tejmija në shekullin e 14, el-Bika’i në shekullin e 15, Ibën Haxhar el-Hajthemi në shekullin e 16, Murteda ez-Zabidi në shekullin e 18, apo Hamdan ibën ‘Uthman el-Xhezairi në shekullin e 19.

Në Kuran gjejmë të paktën dy referenca për hutimin dhe shastisjen që shkakton, jo në njerëz të zakonshëm, por tek engjëjt dhe te një Profet i lartë si Musai, e keqja që ndodh në botë si rrjedhojë e veprimit dhe urdhërit të drejtpërdrejtë Hyjnor, jo thjesht nga veprimi i një njeriu mëkatar, apo e një fenomeni natyror. Engjëjt i drejtohen Zotit me fjalët: “A do të caktosh në të dikë që të shkaktojë korruptim dhe të derdhë gjak?! (El-Bekara 2, 30)” kur Ai i lajmëron për caktimin e njeriut si mëkëmbës në tokë, ndërsa Musai i thotë Khidrit: “A vrave një shpirt të pastër që nuk i kishte marrë jetën një shpirti tjetër; kreve vërtet një vepër të tmerrshme (El-Kehf 18, 30)” kur ai, me urdhrin e Zotit, i merr jetën “fëmijës më të bukur teksa po luante me një grup shokësh“ (Xhelal ed-Din es-Sujuti).

Çelësi që shtangia nga dëshmimi i së keqes të mos shndërrohet në dilemë për arsyen e ekzistencës së të keqes qëndron në interpretimin e saj sipas dijes Hyjnore, të cilën Zoti mund t’ua bëjë ose jo të ditur krijesave. Kështu Zoti i përgjigjet engjëjve me fjalët: “Me të vërtetë, Unë di atë që nuk dini (El-Bekara 2, 30)”, kurse Khidrin Zoti e përshkruan duke folur në vetën e parë shumës si “një prej robërve Tanë, të cilin e kishim pajisur me mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar dije nga prania Jonë (El-Kehf 18, 65)”.

Kurtubiju thotë se Zoti “i kishte mësuar Khidrit dijen e të padukshmes, se ajo kishte të bënte me njohjen e të fshehtave, ndërsa Musai zotëronte dijen e normave juridike të fjalëve dhe veprimeve të dukshme të njerëzve”. Për këtë arsye, Khidri i thotë Musait se nuk do të mund të bëjë durim me të dhe do ta kundërshtojë kur të shohë veprimet që ai do të kryejë. “E si mund të bësh durim ndaj diçkaje që nuk e përfshin dija jote?” – e pyet Khidri Musain, sepse “ti nuk ke dijeni për urtësinë dhe dobinë e fshehur të saj, të cilën e njoh unë, por nuk e njeh ti” (Isma’il Ibën Kethir). “Si mund të durosh ndaj asaj që të duket gabim, ndërkohë që nuk ke dijeni për urtësinë që fshihet pas saj? (Muhammed el-Kurtubij)”

Përpara ndarjes me Musain, Khidri i shpjegon Musait interpretimin e veprimit të tij, ndaj të cilit Musai nuk mundi të bënte durim, por e kundërshtoi. “Vrasjen e djaloshit e shpjegon si mënyrë për t’i kursyer prindërve të tij besimtarë brengën dhe vuajtjen nga rebelimi dhe mohimi i Zotit që ai do të shfaqte kur të rritej. Por, duke qenë se prindërit, për shkak të moshës së njomë të djaloshit, nuk kishin dëshmuar ende rebelim dhe mohim të Zotit nga ana e tij, vdekjen e fëmijës në atë mënyrë do ta kenë konsideruar si një tragjedi, duke mos patur dijeni për vuajtjet e ardhshme nga të cilat Zoti po i ruante. Prandaj, në këtë kontekst, Ibën Kethiri citon thënien e Profetit ﷺ se ajo që Zoti përcakton për besimtarin është gjëja më e mirë për të. Khidri pohon gjithashtu se veprimin e tij e kreu sipas urdhrit dhe vullnetit të Zotit, i cili mbetet i padepërtueshëm për mendjen njerëzore, madje edhe për një Profet si Musai, për sa kohë mungon shpjegimi i kuptimit të fshehur të veprimit, të cilin në këtë rast e jep Khidri” (The Study Quran).

Vetëm dija e fshehtë për të ardhmen dhe pasojat e veprimeve në botën tjetër mund t’i japë kuptim mizorive, padrejtësive, dhimbjeve dhe vuajtjeve që e bëjnë këtë botë të perceptohet si e metë. Pa këtë dije, ose besimin tek ekzistenca e saj, të metat në dukje të kësaj bote do t’i shkaktonin huti dhe shtangie çdo njeriu, ashtu siç i shkaktuan për një moment Musait dhe engjëjve. Nga ana tjetër, kjo botë është më optimalja e botëve të mundshme në arritjen e qëllimit për të cilin e ka krijuar Zoti atë, sepse “e keqja” e saj nuk është vetëm se një pjesë e mekanizmave nëpërmjet të cilëve arrihet ky qëllim. Pas çdo “të keqeje” fshihen urtësi ndoshta të pakapshme për mendjen njerëzore, por që do të bëheshin të qarta nëse Zoti do t’i shfaqte të ardhmen dhe të fshehtën njeriut, ashtu sikurse ia shfaqi ato Zoti engjëjve dhe Khidri Musait. Nëpërmjet ngjarjes së Khidrit, Zoti hapi një dritarez, për Musain dhe lexuesit e historisë së tij, te perdja që ndan njerëzit nga dija e së fshehtës, prej ku mund të rroket urtësia e ngjarjes dhe të kuptohet dobia e vrasjes së fëmijës prej Khidrit. Sikur njerëzit të zotëronin këtë lloj dijeje të fshehur për çdo ngjarje, nuk do të dëshironin që ato të kishin rrjedhur ndryshe nga ç’kanë ndodhur.

Imam Ghazaliu thotë në kryeveprën e tij ‘Ringjallja e Dijeve të Fesë’ që kjo botë është më optimalja sepse, “sikur Zoti t’i kishte krijuar gjithë krijesat të pajisura me intelektin e më inteligjentit dhe me dijen e më të diturit prej tyre, t’u kishte dhuruar gjithë dijen që mund të bartnin shpirtrat e tyre dhe t’u kishte derdhur urtësi të një shkalle të papërshkrueshme, pastaj t’i kishte dhënë secilit dijen, urtësinë dhe inteligjencën e të gjithëve atyre, t’u kishte zbuluar pasojat e veprimeve, t’u kishte mësuar misteret e botës së përtejme dhe t’ua kishte bërë me dije hollësitë e bekimit hyjnor dhe misteret e dënimit përfundimtar, derisa njerëzit të ishin bërë të vetëdijshëm për të mirën dhe të keqen, e pastaj t’u kishte kërkuar ta ndërtonin këtë botë dhe botën e përtejme sipas dijes dhe urtësisë me të cilën do të ishin pajisur, atëherë ky ndërtim nuk do t’i shtonte dhe nuk do t’i pakësonte as një krah mushkonje mënyrës se si Zoti e ka rregulluar krijimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Çdo gjë që Zoti i ka ndarë njeriut, si furnizimi, jetëgjatësia, kënaqësia dhe dhimbja, mundësia dhe pamundësia, besimi dhe mohimi, bindja dhe mëkati, është e gjitha plotësisht e drejtë dhe e pacenuar nga padrejtësia. Kjo botë është në pajtim me rendin e duhur të gjërave, në përputhje me çfarë duhet të jetë dhe si duhet të jetë, dhe nuk ekziston si mundësi një tjetër që të jetë më e shkëlqyer, më e përkryer dhe më e plotë sesa kjo botë.

Përgatiti: G. Demneri

Shpërndaje