Parimet e retorikës semite dhe zbatimi i saj mbi suren 114 “Njerëzit”

Teksti i hartuar sipas retorikës semite ndërtohet mbi bazën e një sërë simetrish komplekse, të ndërthurura në nivele të ndryshme tekstuale. “Analiza retorike” është teknika e cila bën të mundur nxjerrjen në pah të mënyrës së thurjes së teksteve sipas parimeve të kësaj retorike. Ajo vërteton koherencën e teksteve të cilët, në vështrim të parë, duken të çrregullt.

Në retorikën semite, simetritë mund të marrin tri forma, apo “figura kompozimi”: “paralelizmi”, kur njësitë tekstuale që kanë lidhje me njëra-tjetrën rishfaqen në të njëjtën renditje (ABC//A’B’C’); “kompozimi pasqyrues” (ose paralelizmi i përmbysur), kur njësitë e lidhura rishfaqen me renditje të përmbysur (ABC//C’B’A’); “kompozimi bashkëqendror” (ose “kompozimi unazor”), kur një qendër bashkon anët e kundërta të një paralelizmi të përmbysur (ABC/X/C’B’A’).

Ajo që e bën retorikën semite veçanërisht të hollë dhe të komplikuar është se, nisur nga fakti që këto figura kompozimi ekzistojnë në nivele të ndryshme të tekstit, studiuesi duhet të jetë i vëmendshëm të dallojë gjatë analizës:

  1. “gjymtyrën”, e cila është njësia më e vogël retorike; ajo korrespondon përgjithësisht me një frazë të shkurtër ose një pohim;
  2. “segmentin”, i cili përmban një, dy ose tre gjymtyrë të lidhura së bashku;
  3. “pjesën”, e cila përmban një, dy ose tre segmente;
  4. “fragmentin”, i cili përmban një, dy ose tre pjesë.

Në të njëjtën mënyrë funksionojnë edhe katër nivelet “superiore” të tekstit: “pasazhi”, “sekuenca”, “seksioni” dhe në fund “libri”, ku secili përmban një ose disa njësi të nivelit të mëparshëm.
Për shembull, një tekst mund të përbëhet nga paralelizma në nivel segmentesh dhe pjesësh, pastaj të ketë një kompozim pasqyrues në nivelin e fragmentit, një kompozim bashkëqendror në nivelin e pasazhit e kështu me radhë. Kombinime të shumta janë të mundshme, çka i jep kësaj retorike mjaft fleksibilitet.

Kompozimi i sures 114 të Kuranit “Njerëzit” ilustron shembullin e paralelizmit. Kjo sure përfaqëson një lutje që besimtari është i ftuar ta thotë për të kërkuar strehim te Zoti nga cytjet (pëshpërimat) që mund t’i vijnë nga shejtani, xhinët apo njerëzit.

Thuaj:

  1. strehohem———-te————-Zoti—————i njerëzve
  2. —————————————-Sunduesi——–i njerëzve
  3. —————————————-Hyji—————i njerëzve
  4. ————————nga———–ligësia———–e pëshpëritësit që largohet vjedhurazi
  5.  i cili pëshpërit——në kraharorët——————e njerëzve
  6. qoftë ai————–prej———-xhinëve———-apo njerëzve.

Pas urdhërit fillestar me fjalën “Thuaj”, sura konsiston në një fjali të vetme komplekse. Ajo përbëhet nga dy segmente tri-gjymtyrëshe që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, të udhëhequra nga dy parafjalë të kundërta: “te” (“bi” në arabisht) dhe “nga” (“min” në arabisht”).

Tri gjymtyrët e segmentit të parë (ajetet 1-3) janë sinonime, me tre emra që i referohen Allahut (Zot, Sundues, Hyjni) dhe përsëritjen e trefishtë të fjalës “njerëzve” në fund.

Tri gjymtyrët e segmentit të dytë (ajetet 4-6) janë plotësuese: gjymtyrët 5 dhe 6 shpjegojnë gjymtyrën 4 (5 – çfarë bën pëshpëritësi? 6 – cili është ai?). Ka mjaft shenja kompozimi që i lidhin së bashku tri gjymtyrët e këtij segmenti. Skajet e gjymtyrëve 4 dhe 6 fillojnë me të njëjtën parafjalë “min” në arabisht. Dy gjymtyrët e para 4 dhe 5 lidhen nëpërmjet fjalëve që kanë të njëjtën rrënjë: “pëshpëritës” dhe “pëshpërin”. Së fundmi, dy gjymtyrët e fundit 5 dhe 6 janë të lidhura përmes fjalës përmbyllëse “njerëzve”.

(Shkëputur nga artikulli “The Semitic rhetoric in the Koran” i Michel Cuypers).

Shpërndaje