مَثَلُ ٱلَّذِينَ حُمِّلُواْ ٱلتَّوْرَاةَ ثُمَّ لَمْ يَحْمِلُوهَا كَمَثَلِ ٱلْحِمَارِ يَحْمِلُ أَسْفَاراً
Shembulli i atyre që u ngarkuan të bartin Teuratin, dhe pastaj nuk e bartën atë, i ngjan shembullit të gomarit që mbart libra! (El-Xhumu’ah 62, 5).
Ngarkimi i bartjes se Teuratit i përmendur në këtë ajet nënkupton ngarkimin e hebrejve që t’i “qëndrojnë parimeve që ai përmban dhe të veprojnë sipas mësimeve të tij” (Fakhr ed-Din er-Razi).
Metafora e gomarit shërben për të theksuar faktin se bashkësia e besimtarëve hebrenj arriti në një pikë ku nuk kishin më dijeni “as çfarë përmbante Libri i tyre i Shenjtë dhe as çfarë detyrimesh lindnin prej tij.
Ibën Abbasi ka thënë: Allahu e ka shëmbëllyer atë që lexon Librin dhe nuk ndjek mësimet e tij me gomarin që mbart Librin e rëndë të Allahut pa e ditur se çfarë përmban ai” (Ibën Xherir et-Tabari).
Qortimi i atyre që lexojnë Librin e tyre të Shenjtë dhe nuk veprojnë sipas tij është i njëjtë me qortimin e Profetëve të Dhjatës së Vjetër drejtuar priftërinjve, besimtarëve dhe njerëzve në librat e Ezekiel-it (22, 26), Isaia-s (24, 5), Jeremia-s (8, 5-9), Osea-s (4, 6-7) dhe të tjerë.
Ky ajet nuk është thjesht qortim për hebrejtë që lanë pas dore parimet e Hebraizmit; ai është gjithashtu një paralajmërim për muslimanët se si njerëzit e trajtojnë shpeshherë shpalljen. Profeti ka parathënë se mbi bashkësinë e muslimanëve do të bien shumë mynxyra kur dija dhe kuptimi mbi fenë të humbasin dhe tjetërsohen. Këto dukuri janë edhe prej shenjave që fundi i botës është i afërt. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se “prej shenjave të afrimit të kijametit është zhdukja e dijes dhe rrënjosja e injorancës”.
Leximi i Kuranit, pa u thelluar në kuptimet dhe mësimet e tij, nuk është i mjaftueshëm për frenimin e largimit të dijes. Mësimdhënia e tij nuk është garanci për prosperitetin e bashkësisë së muslimanëve, madje nuk e përjashton as prekjen e saj prej trazirave dhe vuajtjeve. Imam Ahmedi, Ibën Maxheh dhe Tabarani transmetojnë se habisë së një sahabiu që pyeti se si do ishte e mundur diçka e tillë, Profeti iu përgjigj duke shëmbëllyer sjelljen e muslimanëve ndaj Kuranit me sjelljen e bashkësive të mëparshme fetare ndaj librave të tyre të shenjtë.
Shuajtja e dijes fetare do të vijë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve të vërtetë, vendin e të cilëve do ta zënë injorantët e devijuar. Buhariu transmeton se Profeti ka thënë:
“Allahu nuk do t’ua heqë dijen me forcë njerëzve, duke ua rrëmbyer atë. Në fakt, Ai do ta largojë atë nëpërmjet vdekjes së dijetarëve derisa, kur të mos mbetet më asnjë dijetar, njerëzit të marrin për udhëheqës injorantët. Kur t’u kërkohet mendim nga njerëzit, ata do të japin verdikte fetare me padije, duke devijuar vetë dhe duke devijuar të tjerët.”
Mungesa e dijetarëve të vërtetë i hap vendin bartësve të korruptuar të dijes, të cilëve Profeti u ka rezervuar fjalë shumë të ashpra:
“Në kohët afër fundit të botës do të dalin njerëz që do të shfrytëzojnë fenë për qëllimet e kësaj jete. Kur të jenë me njerëzit, do të veshin lëkurën e deles për nga butësia që do ju shfaqin. Gjuhët e tyre janë më të ëmbla se sheqeri, kurse zemrat i kanë si zemrat e ujqërve” (Transmeton Tirmidhiu).
Në një hadith tjetër të transmetuar nga Bejhakiu, Profeti ka thënë:
“Nuk do të jetë e largët dita për njerëzit kur prej Islamit të mos mbetet gjë vetëm se emri dhe nga Kurani të mos mbesin vetëm se shkronjat. Xhamitë e tyre do të jenë të mbushura me njerëz dhe të zbrazura nga udhëzimi. Dijetarët e tyre do të jenë njerëzit më të këqij që gjinden nën qiell; trazirat prej tyre do të nisin dhe atyre do t’ju kthehen”.
Megjithë zymtësinë e peisazhit të përshkruar nga hadithet dhe të vërtetuar nga realiteti i sotëm, arsyet për t’u ndjerë mirë nuk mungojnë, sepse “nuk ka dyshim që bashkë me vështirësinë ka lehtësim” (El-Inshirah 94, 5).
Në vazhdim të komentit të mëparshëm rreth ajetit të pestë të sures Xhumu’ah, mendoj se ka të paktën tri arsye për të mos u ndjerë të pezmatuar, megjithë ngushtimin shpirtëror të shkaktuar nga hadithet që kanë përshkruar kohë si kjo jona.
E para, situatat që po jetojmë janë parashikuar nga Profeti. Profecitë e përmbushura janë ngushëlluese dhe shërbejnë si argumente që përforcojnë besimin te vërtetësia e Islamit. Me besueshmërinë dhe sinqeritetin që karakterizon Profetët, i Dërguari nuk ka ngurruar të identifikojë dhe tregojë plagët kryesore nga të cilat vuajnë sot muslimanët: korruptimin e bartësve të dijes, mungesën e dijes rreth Kuranit nga ana e besimtarëve në përgjithësi, si dhe keqpërfaqësimin e Islamit që vjen si pasojë e këtij degradimi.
E dyta, mjaft aspekte që perceptohen si problematike në Islam nuk janë të tilla në të vërtetë. Ndonëse ato paraqiten si pjesë e qenësishme e fesë, apo rrjedhoja të drejtpërdrejta të parimeve të saj, hulumtimi objektiv ka treguar se ato janë rezultat i intepretimeve të papërshtatshme ose të mangëta nga dijetarët e kohës. Thellimi në librat e dijetarëve të hershëm zbulon ato elemente që i vendosin në kontekstin e duhur dhe i japin kuptimin e drejtë këtyre aspekteve në dukje problematike.
Arsyeja e tretë për të shpresuar është hadithi i Profetit për grupin nga bashkësia e muslimanëve që do vazhdojë të qëndrojë me të vërtetën deri sa të ketë muslimanë në këtë botë. Në hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Profeti ka thënë: “Një grup nga populli im do nuk do ndalojë së qenuri dukshëm me të vërtetën. Ata nuk do të dëmtohen prej atyre që do t’i lënë në baltë, dhe do vazhdojnë në të njëjtën gjendje derisa të vijë urdhri i Allahut.”
Fjala “urdhër” në hadith nënkupton erën që do të marrë shpirtin e ҫdo besimtari dhe besimtareje të mbetur përpara se të bëhet kijameti, ҫka do të thotë se deri në momentin më të fundit të jetës në këtë botë do të ekzistojnë besimtarë muslimanë që janë në rrugë të drejtë. Duke komentuar hadithin, Ibën Haxhar el-‘Askalani është shprehur: “Nuk është e thënë që të gjithë këta besimtarë të gjinden në një vend; ata mund të jenë të grumbulluar në një qytet, ose të jenë të shpërndarë nëpër botë. Është e mundur që një grup i tillë të ekzistojë, pastaj të pushojë së ekzistuari duke u zëvendësuar me një grup tjetër. Kjo do të vazhdojë deri afër Ditës së Fundit, kur të gjitha grupimet do të shuhen me përjashtim të një grupi që do të gjindet në një qytet. Ky grup do të ikë nga kjo botë me erën që Allahu do ta sjellë për të marrë shpirtrat e tyre.”
Shoqërimi me këtë grup besimtarësh i mundëson ҫdo muslimani kuptimin dhe zbatimin e vërtetë të Islamit, larg shtrembërimeve dhe devijimeve. Duke qenë se besimtarë të këtillë ka në tokë edhe në këtë moment, secilit i del si detyrë t’i kërkojë dhe gjejë ata. Në pamundësi të shoqërimit me ta fizikisht, sekush t’i ndjekë të paktën virtualisht. Nëse edhe kjo nuk është e mundur, Allahu do ta stolisë atë që i ka kërkuar me cilësitë e tyre, në raport me sinqeritetin dhe aspiratën e zemrës për të qenë në shoqërinë e këtij grupi.